Përçarjet brenda për brenda Bashkimit Europian po bëhen gjithnjë e më evidente – dhe në qendër të gjithë kësaj është pikërisht Gjermania.
Lëvizja e dëshpëruar e Kancelarit Gjerman Olaf Scholz në një kohë krize ka shqetësuar vendet e tjera të BE-së.
Kur qeveria gjermane propozoi paketën e saj të ndihmës prej 200 miliardë eurosh javën e shkuar, reagimet në mbarë BE-në ishin gati të menjëhershme.
Zemërimi për paketën energjetike të Berlinit të quajtur “Mburoja mbrojtëse” nga kancelari gjerman, si mënyrë për të shpëtuar qytetarët e tij nga çmimet astronomike të energjisë ka qenë ‘molla e sherrit’ për vendet e BE-së gjatë gjithë kësaj jave.
Franca, Italia, Hungaria, Polonia, Litunia e të tjera shtete anëtare kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj kësaj ‘shpërfilljeje’ të Berlinit, të cilën ato e kanë përshkruar si një lëvizje për të shpëtuar veten duke lënë të gjithë të tjerët mbrapa.
Në një kontekst tjetër, kjo lëvizje e kancelarit gjerman nuk do të shihej me skepticizëm, madje ajo do të vlerësohej si një iniciativë inteligjente për të mbrojtur popullin e tij nga një krizë ekonomike e paevitueshme, por gjërat ndryshojnë, pasi Gjermania është pjesë e BE-së – dhe jo vetëm pjesë e saj, por ajo është ekonomia lider dhe më e madhe e bllokut.
Me anë të kësaj lëvizjeje duket sikur ajo po merr në konsideratë vetëm nevojat e qytetarëve të saj – duke harruar se vendimi për të sanksionuar Rusinë pas luftës së saj në Ukrainë, ishte një vendim unanim i cili u morr me konsensus nga të gjithë shtetet europiane.
Dhe ishte pikërisht ky vendim i cili më pas solli krizën e naftës dhe gazit, që rezultoi në çmimet stratosferike të elektricitetit dhe krizës së inflacionit me të cilën po përballet Europa ndërkohë që flasim.
Kur ishte momenti që Europa të vepronte kundër Putinit, përgjigja e të gjitha shteteve të BE-së ishte e përbashkët dhe definitive.
Shumë e kanë konsideruar atë edhe si një ‘sakrificë’ të përbashkët pasi shumë shtete europiane mund të mos ishin dakord me këto sanksione dhe pasojat e tyre.
Por tani kur kriza është eminente për secilin shtet, duket se Gjermania – e vendosur nën një presion të padiskutueshëm – mori një vendim i cili nuk tregoi konsideratë për asnjë nga shtetet e tjera anëtare.
Si kanë reaguar liderët europianë deri tani?
Kryeministri italian Mario Draghi si dhe ministri francez i financave Bruno Le Maire nuk pritën duke paralajmëruar rrezikun e fragmentimit të eurozonës si rezultat i kësaj lëvizjeje.
Kryeministri në largim i Italisë tha se: “Ne nuk mund ta ndajmë veten sipas hapësirës së gjithsecilit prej nesh për të kryer manovra të tilla fiskale. Ne kemi nevojë për solidaritet”.
Ndërkohë, komisionerët francezë dhe italianë Thierry Breton dhe Paolo Gentiloni kërkuan një përgjigje pan-evropiane në një shkrim të botuar në gazeta anembanë Europës.
Të mërkurën, edhe presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen morri pjesë në dialog duke prezantuar kritikat e saj. “Për të shmangur fragmentimin serioz, ne kemi nevojë për një përgjigje të bashkuar dhe të përbashkët evropiane,” shkroi ajo në letrën e saj drejtuar liderëve evropianë përpara Këshillit Evropian në Pragë.
“Ne duhet të ruajmë një fushë loje të barabartë, pa shtrembërime të tregut të përbashkët dhe të veprojmë së bashku me një frymë solidariteti të forcuar,” shtoi ajo, duke lënë të kuptohet frikën e evropianëve se subvencionet bujare për firmat dhe familjet gjermane do të dëmtonin pjesën tjetër të Evropës duke e vendosur atë në një disavantazh të hapur.
Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawecki tha gjithashtu se kjo lëvizje do të dëmtojë tregun e brendshëm evropian.
“Ne po përpiqemi të mos e dëmtojmë tregun e brendshëm evropian dhe dëmi do të bëhet nëse qeveria gjermane do të jetë në gjendje të vazhdojë e vetme me subvencionimin ekskluziv të kompanive të saj” – tha ai.
Çfarë e pret Europën si rezultat i kësaj?
Sipas shumë ekspertëve, mbase është pikërisht kjo lëvizje nga Scholz e cila mund të krijojë kushtet ideale për arritjen e një politike fiskale të përbashkët europiane duke krijuar më në fund një Europë të bashkuar që di t’i përballojë krizat në unitet.
Por nga ana tjetër, ajo mund edhe ta përçajë edhe më tej Europën, duke hedhur dritë mbi pikat e saj të dobëta dhe pamundësinë e saj për të qenë një aleancë ‘e bashkuar’.
A do të jetë e mundur një përgjigje fiskale evropiane ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë – dhe a do të mundet Europa më në fund të arrijë një përgjigje unanime dhe të pakontestueshme ndaj luftës së Rusisë, e cila do të mund të nxjerrë atë nga kjo krizë jo vetëm më të bashkuar por edhe më të pavarur në vendimmarrje?