27.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Shtator 2024
Ballina Pakategori Basar Dogusoy: “Unë jam Samo”

Basar Dogusoy: “Unë jam Samo”

0

Flet për rolin, replikat me aktorët në “Rrahje zemre”
Basar Dogusoy na ka dhuruar shumë të qeshura me rolin e tij si specializanti Samo në telenovelën “Rrahje zemre”. Një aktor i cili është tërësisht i përkushtuar ndaj punës së tij dhe shumë i hapur me gazetarët. Ndiqni intervistën më poshtë për të zbuluar më shumë rreth Samos dhe aktorit.
• 5 fjalë kyçe me të cilat do të përshkruanit personazhin tuaj?
– Mendoj se 5 fjalët kyçe që do të përshkruanin Samon janë: ushqim, dashuri platonike, i paqëndrueshëm, i ndjeshëm, tërheqës.
• Nëse do të zgjidhje për vete një karakteristikë të personazhit tënd, cila do të ishte ajo?
– Ne i kemi tashmë karakteristikat e përbashkëta, sepse unë jam Samo (qesh). Të dy jemi shenja e Peshqve në horoskop. Peshqit e kanë të vështirë të bien me këmbë në tokë. P.sh. më thotë mami të ble kos, unë gjatë rrugës harroj që kam shkuar për kos dhe blej ëmbëlsira.
• Në “Rrahje zemre” personazhi juaj është ai që nuk ka të ngopur me ushqime. Sipas jush, cili është kuptimi i këtij roli në film?
– Tani që më bëtë këtë pyetje m’u kujtua skena e parë në operacion e Samos, i cili ishte i veshur me rrobat sterile dhe nuk mund të hante asgjë. Në mendje kishte një picë me formë zemre dhe thoshte që ishte në gjendje të bëhej një kërpudhë mbi trupin e kësaj pice. Tani të mendojmë se pica është i gjithë projekti, ndërsa Samo është kërpudha. Një ingredient i vogël, por që i jep shije tjetër ushqimit. Asgjë tjetër nuk mund të zërë vendin e këtij ingredienti.
• A u kujtohet audicioni i parë?
– Më kujtohet, kam qenë ende në konservator dhe po bëja audicion për një reklamë. Erdhën në shkollë dhe na morën gjatë orës së mësimit. Isha me një shoqen time dhe po bënim shaka duke i thënë njëri-tjetrit që s’duhet të stresoheshim aq shumë për një audicion. Regjisorëve me sa duket u pëlqeu sensi im i humorit dhe ma dhanë mua rolin. Isha shumë i ekzaltuar, sa kur më pyetën për përmasat e mia trupore për të qepur kostumin ua dhashë të gjitha gabim. Më vinin pantallonat deri te gjuri.
• Cila ka qenë gabimi më komik që keni bërë në shesh-xhirim dhe që mbani mend?
– Kishim një skenë në “Rrahje zemre” ku ishim prezentë të gjithë. Ishte në fakt një skenë shumë e thjeshtë. Do të dilnim nga dhoma e konferencës për në korridor. Mirëpo u bëra lëmsh me udhëzime të tipit: ti do ecësh para, ti mbrapa, ti do shikosh kamerën saqë harrova se në cilën anë të korridorit duhej të kthehesha. Të gjithë po ecnin majtas dhe vetëm unë kthehem djathtas. Aty ia këput regjisori: “O plako, po ti për ku je?” Filluam të qeshnim të gjithë, madje ende më vjen për të qeshur kur e mendoj.
• Nga të gjitha filmat ku keni marrë pjesë, cila ka qenë replika që ju ka pëlqyer më shumë qoftë e personazhit tuaj, apo e ndonjë personazhi tjetër?
– Shprehja e Oykus “Allah Allah”. Nuk është te shprehja, por te mënyra se si e thotë, qëndron drejt dhe e ruan tonin e Ejlulit, e thotë shprehjen duke mos dalë në asnjë çast jashtë personazhit të saj. Këto gjëra të vogla i japin jetë personazhit. Edhe Burcu Turunuz (Esma) me shprehjen: “Më ka marrë flakë zemra”. Ashtu sikurse e ka thënë edhe Kenan Dogulu: “Nuk ka të bëjë me atë që the, por si e the atë”. Madje aq shumë më pëlqeu shprehja e Esmas sa e vodha për vete dhe e kam përdorur edhe unë në një skenë.
• Nëse do të zgjidhnit një personazh tjetër nga telenovela, kush do të ishit?
– Do të doja rolin e Ali Burak Caylan (Oguz). Jam shumë kurioz të di se si është të aktrosh një rol të tillë. Oguz është një karakter i fortë, nxehet shpejt, ka sjellje babaxhani, pacientët kanë shumë besim tek ai. Nga njëra anë është një karakter dominant, nga ana tjetër është shumë i ndjeshëm ndaj të tjerëve…
• Nëse do të kishit një makine kohe, ku dhe në ç’periudhë kohore do të shkonit?
– Në Kubën e viteve 1960-1970. Më ka tërhequr gjithmonë ai vend, prandaj dua ta vizitoj sa më shpejt.
• Cila është arritja juaj më e madhe?
– Dëshira ime më e madhe ka qenë të bëhem aktor dhe të bëj emër në këtë fushë. Jam tashmë në rrugën e duhur. Në fillore mësuesja na kishte bërë një karton që dukej si ekran televizori dhe po na merrte në intervistë. “Dua të bëj diçka që kur të dal në televizor të gjithë njerëzit të më shikojnë dhe të qeshin”,- ishte përgjigjja ime që në atë kohë. Prandaj kjo ëndërr e bërë realitet është arritja ime më e madhe.
• Hani gjithmonë kur shihni filma?
– Nuk ha, por pi. Çaj, kafe ose limon soda.
• Nëse një ditë do të jetoje mëngjesin në një libër, ditën në një telenovelë, natën në një film, cilat do të ishin ato?
– “Krim dhe ndëshkim” i Dostojevskit, duke qenë se nata në Rusi do të ishte shumë e ftohtë, po zgjedh ditën për të. Në telenovelë do të doja të isha në “Familja Cosby”, mund të vdisja i qetë në shtëpinë e familjes Cosby. Ndërsa për film, jo vetëm natën, por gjithë jetën mund ta kaloja në “Hababam Sinifi”.
• Cila është gjëja më e mirë dhe gjëja më e keqe e të qenit aktor?
– Duke qenë se e dua shumë aktrimin nuk shikoj dot asgjë të keqe në këtë profesion. Dal nga shtëpia në orën 8:00 të mëngjesit dhe kthehem në orën 23:00. Në set më thonë të gjithë: “Basar, mos je gjë i çmendur? Sa orë ke që je këtu?” Ç’mund të them, e dua shumë këtë profesion, që nga përgatitja për rolin, te puna dhe bashkëpunimi me aktorët e preferuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu