Shkruan Alfred Lela
Për fat të keq, rrugët e gazetarisë shqiptare, sidomos asaj të dekadës së fundit, janë të përmutura kur mund të ishin të përgjakura. Vendet me gazetari të madhe kanë heronjtë dhe emblemat e tyre. Ne jo. Nuk kemi çmime gazetarie me reputacion, por kemi çmime për kokë gazetari. Një anim, një mbështetje, një shitje apo blerje, ka këtë apo atë tarifë. Po kështu, një shantazh, një bakshish, një mbyllje syri dhe një linjë e plotë editoriale.
Këtë ‘listë çmimesh’ e pamë të dëshmohej nëpërmjet gojës së një gazetari të një televizioni shumë pranë Qeverisë Rama. Pandehmat kanë qenë intensive, por ky është rasti i parë që çmimet dhe metodologjia e tyre bëhen publike.
Organizatat e medias nuk reaguan, përveç Këshillit të Medias, një organizatë e re që mbështetet nga KE. Nuk pati asnjë distancim të fortë nga gazetarët, veç e veç apo en block, të njohur apo pak të njohur. Qeveria nuk qiti asnjë pipëtimë.
Qeveria duhet të kishte folur, sepse gazetari në fjalë, edhe nëse nuk ishte në listëpagesën e saj, ishte kokë e këmbë në agjendën e saj. I kamufluar si aktivist, ai ka çuar dy padi në organet e drejtësisë, objekt i njërës sosh është ish-presidenti Meta, një kundërshtar politik i Ramës dhe shefi i një prej dy partive kryesore të opozitës.
Objekt i së dytës është ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Në pamje të parë kjo e bën gazetarin paditës, kalorës të së drejtës: ai lufton të keqen si në opozitë, si në pushtet. Kështu duket, por e vërteta fshihet te detaji i hollë i një lufte për mbijetesë të klaneve brenda barkut të monstrës së inceneratorëve. Kjo e bën padinë, jo betejë të së drejtës, por pritë me porosi.
Të kuptohemi, gazetaria e angazhuar është një gjë, dhe angazhimi në gjobëvënie, duke përdorur ndikimin dhe fuqinë e medias, krejt tjetër.
Nuk e di cila është zgjidhja. Me një qeveri me rekorde kriminale sa i takon raportit me median, nuk mund të kërkosh nisma rregulluese. Vetërregullimi, një ‘instrument i mrekullisë’, që në disa qarqe lokale apo organizmash të huaj, shihet si shpëtim, kërkon shumë kohë, sa frika është se mos gangrena është aq e thellë sa, kur të prodhojë efekt, nëse ia del, gazetaria nuk është më ndërmjetës i publikut me pushtetet, por një prej forcave të së keqes.
Publikut gjithashtu nuk mund t’ja lësh në dorë standardizimin etik, sepse ka tashmë shumë prova se, në numra të mëdhenj, publiku preferon banalen. Madje këtu gjindet edhe një nga arsyet e degjenerimit të medias. Elitat e saj kanë vedosur të mos e formësojnë publikun, por të formësohen prej tij. Shkurt: jepi publikut çfarë ai don. Në këtë ekuacion nuk ka as Çezar dhe as Zot. Ka vetëm një masë amorfe dhe të stërmadhe në kërkim të kënaqësisë. Një masë që nuk mendon. Që ka formuar një kulturën të vetën dhe i beson vetëm asaj. Është ajo që, kaq thjeshtë, e thotë Alain Finkelkraut: sa herë u flet për mendimin, ata të nxjerrin kulturën e tyre.
Në këtë kuptim, Adriatik Doçi dhe doçër të tjerë që tregojnë kujtime të zeza, të poshtërsive që janë kthyer në rend, është vetëm një bulon në mekanizmin e madh kundravajtës të botës mediatike. E cila imiton politiken. E cila prodhohet nga shoqëria.
Për ta mbyllur, nevojiten thënë dy etyde që lidhen me ngjarjen dhe nuk mund të anashkalohen: I pari është fakti se, më të zëshmit në linçimin e gazetarit-shkelës janë ata që vetë njihen si maskarenjtë e portalosferës. Për ta është rasti ideal i shprehjes popullore ‘ma mbaj këtë kopil sa t’i them kurvë asaj tjetrës’.
I dyti kap në një rrjetë britomartis ambasadoren Yuri Kim, e cila i ka dhënë audiencë Adriatik Doçit. Pa ndonjë shkëlqim në gazetari, me sa duket zonjës ambasadore i ka mjaftuar verbi anti-opozitar i gazetarit.
Në të dy rastet, kemi të bëjmë me kulturë, jo mendim