Shkruan Zef Ndreka
Duket se është një parashikim fatal apo pesimizëm, por në fakt është fatkeqësisht e vërtetë. PD-ja nuk i fiton zgjedhjet vendore me 14 Maj! Sepse në këtë situatë të pazakontë parazgjedhore që gjendet PD-ja, si ajo zyrtare e përfaqësuar nga Alibeaj dhe pjesa tjetër e Foltorës e përfaqësuar nga Berisha, edhe sikur mekanikisht të bashkohen për 1001 arësye e të dalin me një kandidat të vetëm të përbashkët, zgjedhjet vendore i kanë të humbura. Të gjitha sondazhet e fundit, nxjerrin opozitën në tërësinë e saj me mbi 15% më pak vota në raport me rezultatin e 25-Prillit të vitit 2021. Pra po të kalkulojmë të dhënat, do shohim se opozita ka mbi 100 mijë vota më pak. Çfar ka ndodhur dhe përse ndodh kjo?! Lufta brënda llojit, më e ashpra e bërë në këto 32-vite të pluralizmit politik shqiptar, është shkaku kryesor. Shkaktari i kësaj lufte tashmë dihet, është Sali Ramë Berisha i shpallur familjarisht non grata nga SHBA-të dhe Britania e Madhe.
Nuk është e para herë që Berisha bën luftë të hapur brënda PD-së. E nisi që në fillimet e para të demokracisë me përjashtimin e grupit të mocionistëve, Ceka, Pashko, Zogaj, Imami, Peshkopia, Teta, Keko, Demeti, Trako etj. Më pas luftë të brëndëshme me grupin e Kalakulës dhe përjashtim të tyre. Vijoi lufta e përherëshme me Azem Hajdarin, me Pollon, me A.Spahinë, me B.Topin e grupin e tij. Më vonë, në zgjedhjet e kryetarit të PD-së midis Bashës dhe Olldashit. Shpallja non grat-a e Berishës dhe përfshirja e PD-së nga ana e tij në betejën kundër Amerikës, Britanikëve dhe europianeve, ishte fatale për PD-në. Ndonëse në vetvete ky proçes është mirëfilli një katharsis, pasi ndanë përfundimisht pro-amerikanët dhe pro-perëndimoret nga antiamerikanët që mbështesin non grat-ën.
Në gjithë këtë betejë me shpifje e sharje, me anatemime e kërcënime, me gënjeshtra e mashtrime, Berisha jo vetëm arriti ta përçante PD-në, ta dobësonte në opinionin kombëtarë e më tej, por më e rëndësishmja është se nga këto që ka bërë, largoi atë pjesë që ne e quajmë elektorati gri, që ka votuar në shumicë përherë opozitën e veçanërisht PD-në. Ky është elektorati që momentalisht i është larguar opozitës me të drejtë. Nuk e mbështet PD-në, as atë zyrtare, as Foltorën. Sepse asnjëra sot për sot nuk kanë çfarë i ofrojnë këtij elektorati kur janë copash mes tyre.
Për arësyet që thamë më lart, në zgjedhjet e 14-Majit, pak ose aspak shanse ka për të shkuar të bashkuar, qoftë edhe mekanikisht për hatër të mos humbjes së votave dhe rrëzimit të Edi Ramës. Për PD-në, zgjidhja e vetme dhe afatgjatë do të ishte të mos harxhojë më energji e kohë me foltorën. Ato të lihen atje, në punën e tyre, në misionin e tyre. PD-ja dhe Alibeaj, menjëherë pa humbur as një sekondë kohë duhet të shpallin kandidatët e saj për kryetar dhe këshilltarët në të gjitha bashkitë e vendit e të fillojë fushata. Zgjedhjet janë vendore nuk duhet të ishin por janë politike dhe vetëm përmes tyre dhe rezultatit të tyre, përcaktohet forca e përfaqësimit. Për këtë ka, një kuptim dhe një afat të përcaktuar zgjatja e dorës për bashkëpunim. Nuk ka më kuptim të mbetet dora e shtrirë, sikur po lypim… Është më mirë kështu. Për PD-në dhe për demokratët. Edhe për foltorën dhe Berishën…