Autoritetet gjermane kanë arrestuar një punonjës të shërbimit të jashtëm të inteligjencës, nën dyshimet se ka ndarë sekrete shtetërore me Rusinë, thanë prokurorët federalë më 22 dhjetor.
Arrestimi i të dyshuarit, i identifikuar si Carsten L, shtetas gjerman, ndodhi në Berlin më 21 dhjetor. Ai është dërguar në paraburgim.
“I akuzuari dyshohet për tradhti shtetërore”, thanë prokurorët federalë përmes një deklarate, të publikuar nga Reuters dhe Deutsche Welle.
Ai ka ndarë informacion, që konsiderohet sekret shtetëror, me agjencinë ruse të inteligjencës, thanë prokurorët.
Në deklaratë u tha se policia ka bastisur banesën e tij dhe vendin e punës, por edhe pronat e një personi tjetër.
Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar se mund të rritet aktiviteti i spiunazhit rus në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës. Ende nuk është e qartë se çfarë informacioni i ka dhënë rusëve Carsten L., por shërbimi i inteligjencës së jashtme (BND), tha se incidenti ka ndodhur gjatë këtij viti.
BND kishte nisur hetimin e brendshëm për këtë çështje sapo kishte marrë informacionin për mundësinë e tradhtisë brenda këtij institucioni, tha shefi i kësaj agjencie, Bruno Kahl, përmes një deklarate.
BND nuk do të ofrojë detaje të tjera lidhur me rastin deri kur prokurorët federalë të përfundojnë hetimin e tyre, tha Kahl.
“Çdo detaj i këtij procesi që bëhet publik nënkupton avantazh për këtë kundërshtar [Rusinë] dhe për qëllimin e tij për të dëmtuar Gjermaninë”.
Arrestimi në Gjermani vjen vetëm disa ditë pasi Austria tha se ka identifikuar një shtetas grek, 39 vjeç, që dyshohet se ka spiunuar për Rusinë. Mediat në Austri raportuan më 19 dhjetor se i dyshuari është djali i një diplomati rus.
Ministria e Brendshme e Austrisë tha se i dyshuari kishte mbledhur informacione në Austri lidhur me pushtimin rus të Ukrainës. Ky institucion shtoi se i dyshuari ishte arrestuar në fund të marsit, por ishte liruar deri në nisjen e gjykimit./REL