Arrestohet ish-burri i Arbana Osmanit!

0

Në kuadër të një operacioni të gjerë të Prokurorisë së Fierit dhe Policisë së Shtetit të zhvilluar këtë të mërkurë, raportohet se mes të arrestuarve është edhe Ardit Kero, ish-drejtues i financës në kompaninë Bankers Petroleum Albania dhe ish-bashkëshorti i moderatores së njohur, Arbana Osmani.

Kero dyshohet si një nga personat kyç në zbatimin e skemave të evazionit fiskal, manipulimit financiar dhe pastrimit të parave, të cilat lidhen me aktivitetin shumëvjeçar të kompanisë Bankers në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.

Operacioni përfshiu edhe ndalimin e disa drejtuesve të huaj të kompanisë, përfshirë shtetasin kinez Hongping Xiao, aktualisht administrator i Bankers Petroleum, si dhe ish-drejtues të tjerë me kombësi kineze dhe kanadeze.

Dyshohet se përmes faturave fiktive, fryrjes së investimeve dhe shmangies sistematike të detyrimeve tatimore, është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm ekonomik.

Hetimet tregojnë se përmes këtyre skemave janë devijuar dhjetëra milionë euro, të cilat më pas dyshohet se janë përdorur për blerje pasurish luksoze dhe transaksione të tjera në vend dhe jashtë tij.

Kompanitë mëmë të Bankers Petroleum janë të regjistruara në juridiksione offshore si Ishujt Cayman dhe Hong Kong, çka ka vështirësuar më tej transparencën dhe gjurmimin e pronarëve përfitues, në kundërshtim me detyrimet ligjore të përcaktuara në legjislacionin shqiptar.

Gjykata e Lartë ka konfirmuar më herët një gjobë prej 80 milionë euro ndaj Bankers, e cila me detyrime të tjera financiare arrin vlerën totale prej 100 milionë euro. Megjithatë, deri më sot zbatimi i kësaj mase është vonuar, ndër të tjera edhe për shkak të ndërhyrjeve në nivele të ndryshme institucionale.

Siç raporton portali “Prapaskena”, ky zhvillim pritet të ndezë debat rreth përgjegjësisë institucionale për një prej skandaleve më të mëdha ekonomike të viteve të fundit në vend.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu