Arbër Veliaj, vëlla i Erion Veliaj, qindrafishoi fitimet, si Lali i Ndranghetës, (dokumenta)

0

Nga Boldnews.al

Kompania quhet “Gogel” shpk. Nga emri tingëllon si një prej atyre objekteve të vegjël sferikë që luajnë fëmijët.

Por, kompania e Arbër Veliajt, vëllai të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk është aspak “gogël” për nga madhësia.

Ajo nisi si “gogël” në vitin 2009, por sapo vëllai i tij u emërua fillimisht Ministër në kabinetin “Rama 1” dhe më tej si kryetar i Bashkisë së Tiranës, fitimet e “Gogel” shpk u qindrafishuan.

“Boldnews.al” kreu një verifikim mbi bilancet tregtare të kompanisë “Gogel”, nga të cilat konstatohet se biznesi i Arbër Veliajt, i nisur me një fitim 30 mijë lekë të reja, në vitin 2019 arriti të arkëtonte plot 37 milionë lekë të reja fitim.

Rritja është mbresëlënëse, plot 1000 herë më shumë

Një verifikim i kryer në transaksionet e Thesarit të Shtetit, rezulton që kompania e Arbër Veliaj nuk ka përfituar tendera publikë.

Ka pasur raportime, kryesisht në media on-line, se “Gogel” ka fituar kontrata për shërbim promocioni me kompani të mëdha, në të cilat aludohej se shtrihej pushteti publik i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Këto raportime, gjithësesi nuk janë shoqëruar me dokumenta përkatëse dhe mbeten kryesisht në nivelin deklarativ, pa fakte të pakundërshtueshme.

Megjithatë, ndoshta është rastësi, por të dhënat tregojnë se “Gogel” shpk ka pësuar një rritje të ndjeshme në fitim në të njëjtën kohë që karriera politike e Erion Veliajt arriti në zenitin e saj.

LEXO EDHE  Kushtetuesja vendim pro Qeverisë, cënon pavarësinë e KLSH-së me auditues privatë

“Gogel” si gogël deri në 2014
Nga viti 2010 deri në vitin 2014, kompania “Gogel”, me aktivitet organizimin e eventeve dhe fushatave promocionale, është luhatur në një fitim nga 30 mijë lekë deri në 700 mijë lekë të reja.

Pra, qartësisht ishte një sipërmarrje e vogël, e cila i shërbente 30-vjeçarit të asaj kohe që të siguronte një pagë minimale mbijetese.

Por, pas vitit 2014, kompania “Gogel” shpk arrin një kapërcim galopant në ritmin e fitimeve vjetore.

Në vitin e parë të plotë të aktivitetit, në 2010, kompania “Gogel” shpk ka raportuar në administratën tatimore një fitim prej 33 mijë lekësh të reja.

Bilanci i kompanisë “Gogël” për vitin 2010 (fitimi 33.568 lekë)
Bilanci i kompanisë “Gogël” për vitin 2010 (fitimi 33.568 lekë)

Një vit më pas, në 2011, Arbër Veliaj fiton rreth 950 mijë lekë të reja dhe një viti më vonë, diku tek 510 mijë lekë të reja.
Në dy vitet e ardhshme, 2013-2014, “Gogel” shpk fiton respektivisht 400 mijë lekë dhe 750 mijë lekë të reja.
Pra, në pesë vitet e para, kur kompanisë si rregull kanë arritur konsolidimin e tyre, fitimi i “Gogel” shpk ishte mesatarisht 500-600 mijë lekë të reja në vit.

Në foto: Bilanci i kompanisë “Gogël” për vitin 2014 (fitimi 754.000 lekë)

Kaq dukej se ishte fuqia e shoqërisë private të Arbër Veliajt. Por, shumë gjëra ndryshojnë sapo vëllai i tij, Erion Veliaj, merr postin e kryebashkiakut të Tiranës.

Kompania, ndoshta për koincidencë kohore, rrit shumëfish fitimet e saj.

 

 

Nga “gogël” në “superfitim”

Sinjalet e para të rritjes së “Gogel” u dhanë në vitin 2015, kur kompania deklaroi një fitim mbi 5 milionë lekë të reja, disa herë më të lartë se një vit më parë, por edhe se sa të gjithë vitet e ekzistencës së saj të mbledhura bashkë.

Në 2016, sipas bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Gogel” shpk arkëton rreth 3 milionë lekë të reja fitim.

Një trend rritës pasoi edhe viti 2017, kur shoqëria e fushatave promovuese fitoi rreth 7.7 milionë lekë të reja.

Kapërcimi domethënës u shënua në vitin 2018. Bilancet e kompanisë tregojnë se Arbër Veliaj fitoi plot 34 milionë lekë të reja.

Në foto: Bilanci i kompanisë “Gogël” për vitin 2019 (fitimi 37.249.369 lekë)

Viti 2019 shënoi një tjetër rritje në fitimin e ortakut të vetëm të kompanisë. Shifra ishte plot 37 milionë lekë të reja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu