Amnistia Fiskale/ Brekëgrisuri që do të lajë paratë e drogës e hajnisë

0

AMINISTIA FISKALE

Ajo që Edi Rama po përpiqej t’u thoshte partnerëve ndërkombëtarë për të justifikuar Amnistinë Fiskale e Penale, ishte garancia se nuk do të legalizoheshin paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit, se ligji i kishte përjashtuar këto kategori dhe në formën e tij qe një mur i pakapërcyeshëm për trafikantët, politikanët e korruptuar apo terroristët.

“Merrni shikoni nenet që tha ministri, është një kategori e tërë, jo një kategori por është që nga Presidenti i sotëm, i djeshëm, i pardjeshëm, tek deputetët e sotëm, të djeshëm të pardjeshëm, tek kryeministrat e sotëm, të djeshëm të pardjeshëm, me gjithë familjet e tyre tek gjykatësit, prokurorët, policët të sotëm, të djeshëm, të pardjeshëm tek nëpunësit e shtetit të sotëm, të djeshëm, të pardjeshëm, tatimet, doganat të sotëm, të djeshëm, të pardjeshëm me gjithë familjet e tyre dhe policë e të tjerë me gjithë familjet e tyre deri tek zyrtarë të zgjedhur të Kuvendit, guvernator, zëvendës guvernator, borde, stër-borde e të tjera, 34 lloj kategorish që janë të përjashtuar, nuk kanë shans të shkojnë edhe të deklarojnë para për të përfituar nga amnistia. Të gjithë të tjerët, çfarë janë subjekte jo të terrorizmit por subjekte të operacionit Forca e Ligjit, pra jo thjesht njerëz të dënuar por edhe njerëz të hetuar dhe të dyshuar në Shqipëri dhe në Europë nuk kanë mundësi të amnistohen”-deklaroi Rama.

Për ta kuptuar qartë atë që tha kryeministri i Shqipërisë ne po ngremë disa pyetje të thjeshta që kanë nevojë për shpjegime po kaq të thjeshta.

Supozojmë se, nëse Arben Ahmetaj, i akuzuar si truri i inceneratorëve nga opozita, nuk do të lejohet t’i deklarojë paratë (nëse ka të fshehura), po kushëriri i tij, a do të lejohet të deklarojë para deri në 2 milionë euro, që sipas asaj që thotë Edi Rama, mund t’i ketë kursyer duke punuar në emigracion, në bujqësi apo ndërtim? (Se raste të ndonjë emigranti të paligjshëm që të ketë punuar bankier e biznesmen, historia nuk njeh).

Nëse Damian Gjiknuri nuk lejohet të deklarojë paratë që opozita thotë i ka bërë sa nga inceneratorët sa nga tenderat korruptivë kur ishte ministër i Infrastrukturës, si ai me vlerë 18 milionë euro i firmës fantazmë te nënkalimi i sheshit Shqiponja, kushëriri i tij do të lejohet të deklarojë para që nuk i justifikon dot e nuk dihet nga i kanë ardhur?

Nëse bashkëshortja e kryeministrit, (Linda Rama në këtë rast) përjashtohet nga ligji që të deklarojë para, a lejohet vëllai i saj t’i deklarojë?

Po një kamarier shqiptar që merr lekët e mafias në Napoli? Po 3 shqiptarë që kanë punuar me ISIS dhe policia jonë s’ka të dhëna, a do lejohen t’i legalizojnë këto para për tërrorizmin?

Po baronët shqiptarë të drogës që do të vijnë t’i sjellin paratë e krimit në emër të vëllezërve të tyre, do të lejohen?

Kush e paguan lobimin e këtij ligji?

A do të mundet t’i blejë të gjithë deputetët që duhet për ta votuar atë, me shumën 1 milionë euro për secilin, pasi paratë që do të legalizohen janë disa mijëra herë më shumë?

Kryeministri thotë se ata që e kritikojnë nuk e kanë lexuar ligjin. Pra, sipas tij, as Dhoma Amerikane e Tregtisë, as Shoqata Gjermane, as Shoqata e Biznesit të Vogël, as Komioni Europian apo MoneyVal nuk e kanë lexuar ligjin.

Zoom.al e lexoi draftin që qeveria po konsulton me grupet e interesit dhe kategoritë mbi të cilat ne ngritëm pyetjet nuk përjashtohen nga deklarimi i parave të dyshimta dhe legalizimi i tyre.

Kryeministri thotë se bazohet tek Këshillimi Kombëtar, formularët e të cilit dyshohet se janë mbushur në zyrat e propagandës qeveritare dhe askush nuk mundi të bëjë transparencën e procesit.

“66 % e thuajse gjysmë milionë shqiptarëve kanë thënë po, kjo duhet bërë. Tani këta njerëz kanë një të drejtë në këtë vend, apo nuk quhet? Apo mjaftojmë 3 shqiptarë, me 3 flamuj të 3 dhomave të tregtisë që këta 66% e gjysmë milioni të çkonsiderohen?”, pyeti ai gjithë siguri.

Por përpara se të vërë 3 shqiptarë apo 3 dhoma përpara militantëve pjesëmarrës në Këshillim, le t’u përgjigjet më mirë vetëm 7 pyetjeve të drejtuara prej nesh për të na shpjeguar se si do e ndalojë futjen e parave të drogës nëpërmjet këtyre të çarave të mëdha që ka ligji i tij. Dhe sipas opozitës, ligji ka për qëllim pikërisht këto të çara, përmes të cilave të legalizojë paratë e korrupsionit dhe krimit, me të cilat ajo thotë se Rama blen pushtetin duke i përdorur në çdo zgjedhje.

Por edhe sikur varianti i opozitës të mos qëndrojë, e sigurt është se ky nuk është një ligj për të ndihmuar ata që u bie bretku duke punuar në punë të zezë e të keqpaguar në emigracion, por është një ligj për brekëgrisurin në qeveri, që e pranon vetë se i duhet të mbushë arkën e boshatisur të shtetit nga shpenzimet e tepruara të luksit apo PPP-të korruptive që i marrin shtetit ccdo vit 500 milionë euro pagesa.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu