Amerika vendos sanksione të reja ndaj Rusisë pas aneksimeve “mashtruese”

0
SHBA njoftoi sanksione të reja gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë pasi presidenti Vladimir Putin vendosi të aneksojë zyrtarisht territore të tjera ukrainase, një veprim që administrata Biden tha se ishte një “rrëmbim mashtrues toke”, transmeton KosovaPost.

Duke kundërshtuar veprimet e Putinit, presidenti amerikan Joe Biden tha se SHBA “do të respektojë gjithmonë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës” dhe do të vazhdojë të ndihmojë Kievin “të rimarrë kontrollin e territorit të tij duke ofruar mbështtje ushtarake dhe diplomatike”.

Biden tha se sanksionet e reja ndaj Rusisë, të vendosura në koordinim me aleatët e SHBA-së, “do të imponojë kosto ndaj individëve dhe subjekteve brenda dhe jashtë Rusisë që ofrojnë mbështetje politike ose ekonomike për përpjekjet e paligjshme për të ndryshuar statusin e territorit ukrainas”.

“Ne do të mbledhim komunitetin ndërkombëtar për të denoncuar këto lëvizje dhe për t’i kërkuar llogari Rusinë”, tha ai në një deklaratë.

“Ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë Ukrainës pajisjet që i nevojiten për t’u mbrojtur, duke mos u zhgënjyer nga përpjekjet e pacipa të Rusisë për të rishikuar kufijtë e fqinjit të saj. Dhe mezi pres nënshkrimin e legjislacionit nga Kongresi që do të sigurojë 12 miliardë dollarë shtesë për të mbështetur Ukrainën”, shtoi ai.

Biden po i referohej një projektligji që Dhoma e Përfaqësuesve është gati të miratojë sot, i cili përfshin miliarda dollarë fonde shtesë për Ukrainën.

Sanksionet e reja ndëshkuese të miratuara nga SHBA janë të gjera dhe përfshijnë ndalimin e vizave për 910 rusë, bjellorusë dhe përfaqësues rusë në Ukrainë “për shkelje të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të Ukrainës”.

Përveç kësaj, Departamenti i Thesarit po sanksionon guvernatorin e Bankës Qendrore të Rusisë, si dhe gruan dhe vajzat e rritura të ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu./AA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu