Ambasadori Ryerson : Koha që brezi i vjetër i politikës shqiptare të hapë rrugën

0

Ambasadori i parë amerikan në Tiranë Ëilliam Ryerson ka dhënë një mesazh për klasën politike shqiptare. Mesazhi është publikuar këtë të martë nga gazeta shqiptaro – amerikane  “Ilyria”  në faqen e saj online. Sipas ish-ambasadorit ka ardhur koha që Shqipëria të ndryshojë dhe se klasa politike e vjetër duhet t’i hapë rrugë brezit të ri.

“Ka ardhur edhe një herë koha për ndryshim në Shqipëri. Ndërsa këtë muaj po i afrohemi një tjetër përvjetori të vizitës së Sekretarit Baker në Tiranë, kam reflektuar mbi ngjarjet në Shqipëri në 31 vitet që nga ajo kohë.

Armiqësia zyrtare ndaj SHBA-së, aq evidente më parë, është zhdukur, e zëvendësuar nga një lidhje e rinovuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, e cila është bërë më e fortë nga viti në vit. Shqipëria që atëherë është anëtarësuar në NATO, është ulur me Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe ka bërë punën e vështirë të nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Tani, pas 31 vitesh, është e qartë se një brez i ri shqiptarësh është gati dhe i etur për të shkruar kapitullin tjetër të historisë së Shqipërisë. Më duket inkurajues fakti që këta njerëz të rinj e kuptojnë se Uashingtoni mbështet fuqishëm përparimin drejt promovimit të të drejtave si dhe përgjegjësive që janë normë midis anëtarëve të NATO-s dhe BE-së, forcimin e shtetit të së drejtës dhe eliminimin e korrupsionit.

Ka ardhur edhe një herë koha për ndryshim. Ashtu siç ishim me ndryshimbërësit e vitit 1991, unë dhe miq të tjerë amerikanë të Shqipërisë jemi me këtë brez të ri ndryshimbërësish. Ka ardhur koha që brezi i vjetër t’i hapë rrugë brezit të ri të liderëve për të çliruar Shqipërinë nga fantazmat e tmerrshme të së shkuarës së saj dhe për ta çuar vendin e tyre në të ardhmen. I uroj atyre çdo sukses, pasi ata udhëheqin rrugën përpara për një vend që e dua” – thotë ai.

William Edwin Ryerson, shërbeu si ambasadori i parë i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i SHBA-së në Shqipëri (1991-1994), pasi marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas rënies së regjimit komunist.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu