Shkruan Sejdi Demiri
Në prag të shënimit të festës „22 Nëntori – Dita e Alfabetit“ dhe në vazhdën e debateve rreth hapjes së Kushtetutës, në plan të parë për arsyeshmërin e futjes së Bullgarëve në Kushetutën e RMV-së, lindi edhe për të satën herë aktualiteti i çështjes së heqjes së termeve numerike lidhur me gjuhën shqipe.
Këtu duhet përmendur dy momente të rëndësishme, sa i përket Ditës së Alfabetit dhe Kushtetutës së RMV.
Momenti i parë: Mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908 është mbajtur konferenca akademike në qytetin e Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe, pasi që përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Momenti i dytë: Kushtetuta e vitit 1991 e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila shpeshherë është detektuar si gjenerator i krizave, por edhe me ndryshimet e fundit të Kushtetutës – kur u ndryshua dhe emri i shtetit, nuk u përmirësua diskriminimi kur janë në pyetje shqiptarët dhe se gjuha shqipe mbeti e definuar me termin e “20 për qind”.
Pra me “20 Përqindëshin” e famshëm mbeti që Gjuha Shqipe të përkthehet e jo të jetë gjuhë zyrtare. Kjo ndodh edhe me shtrmbërimin e emrave të shkruar me shkronjat e gjuhës shqipe në dokumentet personale (letërnjoftim, pasaport etj), sidomos te emrat të cilët përmbajnë fonemën x, xh, dh, th, ç, ë, q, l, ll, ndoshta edhe ndonjë tjetër. Pra, fillimisht bëhet transkriptimi i këtyre emrave të shkruar me këto shkronja të alfabetit shqip në gjuhën maqedonase dhe me shkronjat e alfabetit të saj cirilik e mandej vijon traskriptimi i emrave të shkruar me shkronja të alfabetit cirilik në atë anglez. P.sh. Xhemail-Џемаил-Djemail, Lulzim-Љуљзим-Ljuljzim, Qani-Ќани-Kjani, Çupi-Чупи-Chupi etj. Me/pa qëllim, nga mosdija ose dijeni të tepërt bëhet trasnkriptimi i shkronjave latine (alfabeti i gjuhës shqipe) në ato cirilike (alfabeti i gjuhës maqedonase) dhe përfundimisht përsëri në ato latine (alfabeti anglez).
Ky shtrembërim i shënimit të emrave të shkruajtur me shkronja të alfabetit të gjuhës shqipe në atë të gjuhës angleze, paraprakisht nga alfabeti i gjuhës maqedonase mundet dhe duhet të ndryshohet edhe para arritjes së qëllimit të partive parlamentare shqiptare, që “20 Përqindshi” të zëvendësohet me termin Gjuha Shqipe.
Si? Ju falemi nderit, por mos e bëni transkriptimin e shkronjave shqipe në ato maqedonase, sepse edhe alfabeti i Gjuhës Shqipe dhe ai i Gjuhës Angleze i takojnë shkronjave të alfabetit LATIN, e si do të lexohet emri im në tjetër gjuhë, le t’ja lëmë lexuesit, por asesi mos e shtrembëroni të shkruarit të drejtë të emrave me shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe.