A mund të jetë Presidente e Shqipërisë ajo që fiku Radarët e NATO-s?

0
Pra, femra që fikte radarët e NATO-s për kontrabandë droge, s’mund të jetë ndryshe nga mashkulli Ilir Meta që ndizte tanket antiamerikane në “syrin e Çim Pekës”, apo jemi gabim? 

Shkruan Sokol Pepushaj

Shqipëria është në startin e Kroacisë kur nisi epokën e re, burgosjen e hajdutëve dhe integrimin në BE. Të dyja “detyrat” i bëri mirë. Edhe ne, në atë “klasë” dhe në atë “bankë”, jemi ulur.

“Provimi” i parë është një Presidente femër.

Aty është “gjuha” e gjithsecilit sot. Meqë Presidentja do jetë femër, e kanë “mbyllur” nëpër “zarfe” BE, Amerika, OSBE, NATO, Rusia, Turqia, Sali Berisha, Enkelejd Alibeaj, Petrit Vasili, Monika Kryemadhi, Edi Paloka, Tritan Shehu, Taulant Balla, Djali i Qifos, Fatmir Mediu, mediat, shoqata e dentistëve e rrobaqepësve, shoqëria civile e ushtarake e deri që fshatarët që po mbjellin grurë kur duhet ta korrin. Askush nuk e di tek cili zarf “fshihet” Presidentja. Do Perëndia e s’del në ndonjë zarf  me farë “hudhrash”, se pastaj, ec e mbaji hundët me “kundërgaz” edhe pesë vjet.

Sido, o në zarf o në “qyp” do jetë pasardhësja e Metës.

Si gjithmonë, “ujqërit” e Parlamentit, lëshojnë tymçe për të “qorruar” ndërkombëtarët e shqiptarët, por të gjithë presin Edi Ramën të ndezë “bishtukun” e të bëjë pak dritë. Ngjan se po kërkohet një presidente që shpirtërisht të jetë konsensuale, mbrojtëse e interesave të 4 Klaneve Mafioze që drejtojnë 20 Familjet Kriminale, por edhe që publikisht t’u japë argumente kundërshtie, oponencës dhe opozitës.

Pra, do fiket apo jo “sinjali” antiamerikan që ka ndezur Meta?

Kjo është pyetja që shqetëson shqiptarët.

Le ta diskutojmë…

Presidentin Ilir Meta e presin ditë të këqija, se po, në perceptimin publik dhe diplomatik, ishte më skandalozi në historinë e Shqipërisë, më antiamerikani dhe ndër më pasanikët që vjen nga hiçi.

Po për ku është nisur Presidenti?

Disa mendojnë se do drejtojë opozitën krah për krah me Sali Berishën dhe Fatmir Mediun, të tjerë llafosin se po e pret tek porta Yuri Kim me një ‘non-grata’ në dorë apo gjatë rrugës do vendosë lajmërimin në shtyllë dhe në studio të Çim Pekës se kur vdes e kur varroset.

Le të jemi më me këmbë në tokë.

Ilir Meta po zbret shkallët e presidencës me një thes krime mbi kurriz. Pasi siguroi pasuri të frikshme, ndezi tanket ruse e qëlloi ambasadoren Yuri Kim në Malin me Gropa, u çeli gropën më thellë demokracisë dhe ekonomisë shqiptare, sa “sabotoi” edhe fluturimin e dy satelitëve të Edi Ramës në hapësirë.

Shefi i qeverisë, kishte premtuar se do lëshonte në orbitë, dy satelitë këtë pranverë, por justifikimi se është kohë e keqe dhe ata mund të na lageshin, nuk po ngjit siç pritej.

Ose, më kuptueshëm, Babloku ua ka marrë dorën shqiptarëve, si Enver Hoxha dikur.  Mjeshtër metafore. Shkruan se e pengoi shiu, por u thotë të lexojnë mes rreshtave.  Ilir Meta është e keqja që sabotoi satelitët. Bile, që ta plotësojmë Bablokun, as dallëndyshet e pranverës s’po vijnë pa ikur Ilir Meta nga presidenca.

Prandaj kreu i shtetit na duhet ndryshe këtij tipi.

Kur Presidenti kërkohet ndryshe Ilir Metës, do të thotë përtej tij. Kushti i parë, nuk do jetë mashkull, kushti i fundit, të mos ketë ndezur tanket ruse kundër Amerikës.

Edhe pse s’flitet publikisht, Amerika kërkon përtej e më përtej, pse jo edhe një kryeministër ndryshe, që s’gjuan me grushte e shqelma Flamurin Amerikan…!

Këtu nis përzgjedhja.

Babloku është dinak. Bën magji me ca zarfe plot femra. I përzien e i përzien, pastaj fut dorën e kap medemek njërën. Thesi është plot, sa nuk ja vlen të lexohen emër për emër, po të jeni të qetë, femrat janë dobësia e Bablokut.

S’është hera e parë që shqiptarët e hanë sapunin për djathë. Ka ndodh sa herë Babloku ka shfaqur oreks për mashtrim. Edhe kur përplas Flamurin Amerikan përtokë, e pak vite pas përqesh Sali Berishën, gjen hajdutë mjaftueshëm ta mbështesin. Krejt si me Ilir Metën, që pesë vjet më parë ishte më i miri i të mirëve, e sot që po thyen qafën për në burg, është më i keqi i të këqinjve.

Shqiptarët janë mësuar të mos e provojnë “bostanin” vetë.

Edhe kur është kungull, në thotë i pari i tyre, cilido i parë, Berisha, Meta, Nano apo Rama, ata e hanë me oreks skllavi.

Ku ta gjejmë Kreun e Shtetit?

Amerika, BE-ja, perëndimi, ngjan se nuk u besojnë burrave të shtetit që i kanë hequr brekët shtetit, prandaj ndodh kështu.

Po cila femër do jetë, që një parlament hajdut do e përzgjedhë për të çuar në burg pikërisht vetveten?

Pas “perdes” struket sekreti.

Nëse mes femrave kërkohet figura që lë të kënaqur 4 Klanet Mafioze, s’është nevoja për emër fare.

Mjafton të shkruajmë; “Presidente e Shqipërisë ajo që fiku Radarët e NATO-s” dhe gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët e vendosin vetë emrin e saj përbri. Jo për gjë, po edhe kjo është në listë.

Meqë jemi në një mendje, në një gjykim, në nje emër të përvetshëm edhe pse s’përmendim emër, diçka nuk shkon, apo jo?  Pra, femra që fikte radarët e NATO-s për kontrabandë droge, s’mund të jetë ndryshe nga mashkulli Ilir Meta që ndizte tanket antiamerikane në “syrin e Çim Pekës”, apo jemi gabim?

Si epilog, në jemi në startin Kroat, për burgim të hajdutëve,  duhet një “stop” i fortë 4 Klaneve Mafioze që janë bashkë, por shtiren sikur zihen.

Guxojmë të dyshojmë se deri në këtë moment, askush  s’po kërkon një Presidente femër në standarde elitare, por një që mban me dorë “relenë” e 4 Klaneve Mafioze që të mos arrijë ta stakojë Yuri Kim.

Qëllimi i këtij shkrimi s’është mes emrave, as mes femrave, por t’i futim “flakën” zarfit sekret të hajdutëve e kriminelëve. Atyre ngjan se u intereson  Presidente e Shqipërisë ajo që fiku Radarët e NATO-s dhe kurrsesi një që “fluturon” si “Balonë Tabake” hapësirave të Lirisë./Pamfleti

Ndiqeni me zë:

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu