Janë dy Shqipëri dhe një coronavirus. Njëra Shqipëri është ajo e vërteta, me shumë probleme ekonomike, e zhytur prej vitesh në pasiguri, nën duhmën e hashashit, në korrupsionin e tmerrshëm, në uzurpimin e çdo pushteti, në humbjen e çdo lirie, në zhytjen e varfërisë. Ka edhe një Shqipëri tjetër, ajo është shumë e vogël, por ka benefitet e mëdha.
Është pushteti politik, qeverisja qëndrore, lokale dhe ai ekonomik në duart e një grupi oligarkësh që ka rrëmbyer pasurinë e vendit me të famshmet konçesione dhe tendera publik dhe sot dergj në rrugë edhe punëtorin e thjesht që mban me bukë veten dhe familjen.
Kjo shtresë, e pushtetit politik dhe një grupi oligarkësh, sërish na kanë në duar. Mbi 400 mijë frymë jetojnë nën minimumin jetik. Shumë të tjerë që kishin një punë dhe e quanin veten paksa më mirë se mizerja, janë në pikë të hallit, e kanë humbur atë dhe zgjasin dorën e lëmoshës për të marrë një pagë që punëdhënësi nuk ja jep, apo qeveria i premton se do ia japë.
Varfëria po ndihet, është ajo që sot lulëzon në moçalin që ngriti politika në tre dekada dhe veçanërisht në shtatë vitet e fundit të qeverisjes. Por këtë pjesë elita e nginjun nga mirëqenia nuk ka sy për ta parë, vëshët janë të mbyllura nga piskamat e vuajtjeve të qytetarëve, që pandemia e coronavirusit mund të mos u marrë jetën nga sëmundja, por do i bëjnë të vuajnë edhe për kafshatën e përditshme, nëse kjo gjendje mund të vazhdojë gjatë, qoftë edhe për tre muaj.
Kjo është ajo tablo e frikshme që duhet parë sa nuk është vonë, në mënyrë që vendi të mos shkojë në një revoltë sociale, kur ti soset buka në dollap dhe durimi nga megallomania dhe papërgjeshmëria politike, shpesh cinike, përbuzëse, deri në palcë.
Është e vështirë të shihet e vërteta nga një kështjellë moderne në kodrat e Surrelit, aty ku kryeministri ynë ka instaluar “studio montazhin” dhe jep “falas” filma propagandistik çdo çast. Shumë pyetje ngrihen, ai nuk e kupton gjendjen e qytetarëve, apo nuk do tia dijë për situatën që po kalojnë?
Cilado qoftë përgjigjia, ajo rëndon fort. Nga arka e buxhetit të shtetit fondet për të kapërcyer këtë gjendje po lëshohen me pikatore, duke ofruar pakëz lëmoshë për shtresat në nevojë, sa për të mbajtur frymën gjallë në këtë kohë kur pandemia e coronavirusit po përhapet frikshëm edhe në vendin tonë.
Dhe këtë lëmoshë nuk ta japin nëse nuk shfaqet i vorfni në një film që të zë në grykë çdo qeskëz me ushqime. Duhet në fillim të fokusohet në kamera si shpëtimtarët e së ligës pushtetarë qëndror dhe lokal dhe më pas të jepet vafti i skamjes.
Ka edhe gjeste që janë fort tallëse duke trazuar shpirtin e çdo qytetari që jeton me djersën e tij. Qeveria vendosi të përgjysmojë pagat, bashkë me deputetët si shenjë “solidariteti” për pandeminë që ka prekur fort jëdo dhe kudo, jo vetëm me sinptoma sëmundjeje, por me stres dhe ankth me pyetjen: çfarë do bëhet në të ardhmen? Qytetarët nuk duan një kryeministër, ministër apo deputet që sot tu falë gjysmën e rrogës, por një klasë politike të përgjegjshme që të mos vidhte edhe pikën e fundit të djersës së popullit.
Kishin nevojë që qeverisja të ulte në maksimum korrupsionin dhe ti jepte frymë ekonomisë duke thithur investime të huaja dhe jo të bënte batërdinë kancerogjene që taksat qytetare në miliarda euro, tua linte ne duar të një grushti oligarkësh, të cilët sot as “sevap” nuk po bëjnë.
Nëse ai apo ajo që është dhe ka qenë në krye të këtyre punëve të pista nuk e sheh çfarë dëmi i ka shkaktuar vendit, qytetarët janë mjaftueshëm të ditur për ti kuptuar, edhe pse deri tani e kanë kokën të bumbarduar jo nga “avionët imagjinarë” që hedhin virus dhe sjellin vdekje, por një propagandë e zhulosur që mban erë të rëndë, me keq se kur hapet një kapak pusete. Janë vetëm tre javë masa represive me mbyllje të shumë aktiviteteve tregtare dhe ekonomike, por edhe për kaq kohë kriza është ndjerë ndjeshëm.
Nëse varfëria dhe mllefi masiv social nuk shihet ende nga kështjella e Surrelit, kjo është një e keqe e madhe, madje shumë më e rëndë se një virus i cili të shpresohet që të ikë sa më shpejt.