A ka dorë oligarku Samir Mane në zhdukjen e Ervis Martinaj?

0

Oligarku Samir Mane është parë në fundjavë në qytetin e Korçës tek festonte krahë mikut dhe ortakut të tij Aleksandër Frangaj, nën shoqërinë e të afërmve të tyre. Një dalje publike e tillë e biznesmenit Mane nuk është parë që pas plagosjes së tij në vitin 2018 në restorantin e kunatit të Frangaj, në qendër të Tiranës.

Dalja e tij publike nga “strofka” padyshim nuk është rastësore por lidhet me publikimin e lajmit, se njëri nga rivalët e tij, më saktë autori i plagosjes së biznesmenit në vitin 2018, është gjetur i vrarë dhe trupi i copëtuar në 6 pjesë. Këtë lajm e ka publikuar portali i gazetarit Baton Haxhiu, edhe pse burimet e policisë për identitetin e viktimës dhe fatin e tij janë ende kontradiktore. Afrimiteti i gazetarit me dy biznesmenët Mane dhe Frangaj dihet.

Teksa familja e shumë të kërkuarit nga drejtësia po mban zi, Samir Mane është parë duke festuar tek “Festa e Birrës”, që u mbajt këtë fundjavë në qytetin e Korçës. Për eleminimin e Martinaj shishet e shampanjës nuk janë hapur vetëm në Korçë nga Mane por edhe në Dubai, ku mendohet se fshihen kokat e grupeve rivale që e donin të vdekur 40 vjeçarin, njësoj si biznesmeni.

Kujtojmë për lexuesit, se Samir Mane ka pasur të ndëzur prej vitesh një konflikt me shumë të kërkuarin nga SPAK Ervis Martinaj, konflikt që për pak sa nuk i mori jetën biznesmenit. Kjo përplasje mes biznesmenit dhe grupeve kriminale nuk është bërë publike, pasi për ngjarjen e rëndë heshti shteti, media, policia dhe prokuroria, e të gjithë në bashkëpunim tjetërsuan rrethanat e ngjarjes dhe vrasjen e oficerit gardist, i cili në atë kohë punonte si truproja e Samir Manes.

Lajmi nuk u bë i ditur, sepse Mane i bleu të gjithë duke kapur prej fyti të gjithë: pushtetin, opozitën, prokurorinë, gjykatat, institucionet ligjzbatuese, deputetët, policinë, median dhe çdo faktor që mund të bëhet pengesë në në publikimin e ngjarjes së rëndë.

Prej muajit maj i vitit 2018, kur u plagos Samir Mane dhe truproja i tij u ekzekutua, oligarku është kthyer edhe në aksionerin kryesor të krimit të organizuar, bandave mafioze dhe pastrimit të parave në Shqipëri, sekser pronash dhe allishverisheve që i bën në bashkëpunim me kriminel e të kërkuar nga drejtësia… një investigim për të cilin do flasim në një shkrim të radhës.

Më datë 24-25 maj 2018, tek Restorant “Padam” në Tiranë, në pronësi të kunatit të Aleksandër Frangaj pra ortakut të Samir Manes, biznesmenit i është bërë atentat, nga i cili Mane mbeti i plagosur ndërsa një oficer i Gardës së Republikës, Martin Nika, i cili punonte si truprojë për oligarkun mbeti i vrarë. Ngjarja asokohe u mbajt e fshehtë nga policia, prokuroria, qeveria dhe opozita… madje vrasja e oficerit gardist u shpall aksident automobilistik.

Burimet pohuan në atë kohë, se Mane është plagosur nga vetë Martinaj, pas një sherri të nisur në ambientet e restorantit, i cili nisi me sharje dhe fyerje mes tyre dhe përfundoi me plagosjen e oligarkut. Në tentativën për të mbrojtur biznesmenin ka humbur jetën oficeri i ndjerë Martin Nika, i cili punonte edhe si truproje për Manen. Nga po të njëjtat burime, konfirmohet se sherri midis Manes dhe Martinaj ka nisur për pronësinë në bregdetin e Palasës, ku një i afërmi i Martinaj kishte një pjesë toke të cilës Mane po mundohej ta tjetërsonte për ndërtimin e vilave të kompleksit të tij luksoz Green Coast.

Plagosja e Samir Manes nga Martinaj, është një pistë për SPAK që të nis hetimet për biznesmenin, një nga personat e interesuar për eleminimin fizik të 40 vjeçarit. Spak duhet të sekuestroj aparatët celularë dhe pajisje të biznesmenit, përmes këtij veprimi do të zbulojë kush fshihet pas eleminimit fizik të Martinaj.

Kush është Ervis Martinaj?

Emri i Ervis Martinajt do të përmendej për herë të parë në kronikat e zeza në tetor të 2013-ës. Në zonën e “Komunës së Parisit” u ekzekutua Elvis Doçi, një biznesmen në fushën e lojërave të fatit. Policia në atë kohë e hetoi si të dyshuar për ngjarjen për shkak të një konflikti që kishte pasur me viktimën për lojërat e fatit, pak pas nisjes së operacionit “fundi i marrëzisë” që mbylli kazinot në vend.

Në nëntor të 2015-ës Ervis Martinaj do të shfaqej në një tjetër vrasje, këtë herë e dokumentuar me pamje filmike. Enton Nikaj ekzekutohet në zonën e Linzës, në parkingun e një restoranti të njohur. Sherri për një borxh të pakthyer përfundoi me shkrepjen e pistoletës që i mori jetën 30-vjeçarit. Për vrasjen u dënua Emiljano Tasho, një nga shoqëruesit e Ervis Martinaj.

Ndërkohë që fuqizonte pozitën e tij në fushën e lojërave të fatit, Martinaj do t’i shpëtonte vetë plumbave në tetor të 2018-ës në zonën e ish-Bllokut. Ai mbeti i plagosur nga ish-komando Meviol Bilo ndërsa plumbave nuk i mbijetoi shoku i tij Fabiol Gaxha. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe Eljon Hato shoqëruesi tjetër i Martinajt.

Martinaj ishte subjekt edhe i operacionit “Forca e Ligjit”, të cilit iu kërkua vetëdeklarim i pasurisë. Në prill të 2021-it, 40-vjeçari i lindur në Burrel por me banim në Fushë-Kuqe dhe Tiranë, u dënua nga Gjykata e Tiranës me gjykim të shkurtuar me 3.8 vite burg.

Ai u shpall fajtor për akuzat e “Sigurimit të kushteve për vrasje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikim i pasaportave, kartave të identitetit apo vizave”, dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu