Shkruan Zef Ndreka
Ende pa u mbyllur plotësisht numërimi i votave, gjasat duken se VV nuk i kalon 50% të votave. Çka do të thotë se e vetme, e ka të vështirë të krijoje qeveri.
Kështu, rreziku i përsëritjes së një situate bllokuese ekziston siç ndodhi gjatë gjithë vitit 2025, por nuk është as i pashmangshëm dhe as i justifikueshëm politikisht.
Legjitimiteti politik VV del forcë e parë bindshëm. Edhe pa patur 50%+ një votë, në një demokraci parlamentare mandati moral dhe politik për të provuar qeverisjen i takon fituesit. Çdo përpjekje e opozitës për ta përjashtuar fituesin përmes pazareve do të shihej si manovër aritmetike, jo vullnet popullor.
Qeveria e opozitës, që mendohet, përbën rrezik destabilizues, pasi do të konsiderohet një qeveri e formuar vetëm për të bllokuar VV-në. Dhe kjo qeveri, do të ishte e brishtë nga dita e parë, pa bosht ideologjik, e ekspozuar ndaj presionit të rrugës dhe krizave të vazhdueshme.
Kosova e ka provuar këtë model dhe ka paguar çmim në kohë dhe besueshmëri ndërkombëtare.
Demokracia nuk është thjesht matematikë. Ligjërisht opozita mund të mbledhë numra, por politikisht kjo nuk përkthehet automatikisht në stabilitet. Demokracia funksionale do të kërkonte respekt për renditjen e votës, jo vetëm për formulën parlamentare.
Kështu, opozita nga sot gjendet përballë një prove morale. Nëse opozita zgjedh bllokimin,
ajo nuk i shërben as shtetit, as vetes, por
forcon narrativën se është kundër dhe i dhuron VV-së rolin e viktimës politike.
Zgjidhja më e shëndetshme do të ishte që VV-ja të tentojë qeverisjen me partnerë programorë, ndërsa opozita të ushtrojë kontroll institucional serioz. Edhe nëse qeverisja dështon, ndëshkimi të vijë nga vota, jo nga pazari.
Bllokimi mund të jetë i mundshëm, por do të ishte regres demokratik. Kosova tregoi pjekuri politike me procesin zgjedhor, ndërsa tani rrezikon ta dëmtojë atë me sjellje paszgjedhore.
Gjithsesi, shteti i ri i Kosovës ka më shumë nevojë për stabilitet sesa për hakmarrje politike.








