Çpo ndodh në Kosovë?!

0

Shkruan Zef Ndreka

Janë artikuluar zëra se 5000 shtetas serb çdo ditë aplikojnë për pasaportë kosovare pas miratimit të ligjit për dhënien e nënshtetësisë.
Aplikimet masive po bëhen edhe në konsullatat e Kosovës në vende të ndryshme, kryesisht europiane. Brënda dy viteve parashikohet që në Kosovë të ketë 700 000 serbë me pasaportë kosovare. Kështu, Lista Serbe, rrezikon të dalë forcë e parë politike dhe të marrë në dorë qeverinë pas disa viteve.
Kjo është tashmë shumë e frikshme.
Po ndodh vertetë kjo në Kosovë?
Nëse kjo rezulton e vërtetë, atëherë Kosova ndodhet përballë një sfide historike.
Kosova nuk mbrohet vetëm me ushtri, polici apo aleanca ndërkombëtare. Ajo mbrohet edhe duke ruajtur ekuilibrat e saj demografikë, kushtetues dhe politikë. Pikërisht për këtë arsye, çdo ndryshim ligjor që prek shtetësinë duhet të analizohet me kujdes të jashtëzakonshëm dhe me përgjegjësi të lartë shtetërore.
Nqs ky ritëm i aplikimeve për shtetësi nga shtetas serbë do të ishte vërtet aq i lartë sa thuhet, atëherë institucionet e Kosovës kanë detyrimin tu japin qytetarëve shpjegime të qarta ku të tregohet sa janë aplikimet, kush përfiton, mbi çfarë kriteresh dhe cilat janë garancitë që ky proces nuk mund të përdoret për të ndikuar në të ardhmen politike të vendit.
Historia na ka mësuar se në Ballkan, ndryshimet demografike kanë qenë shpesh pjesë e strategjive politike afatgjata. Për këtë arsye, Kosova duhet të jetë vigjilente dhe të mbrojë interesin e saj, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e njeriut dhe standardet demokratike.
Sepse Kosova është ndërtuar mbi sakrifica të mëdha dhe mbi aspiratën për të qenë një shtet demokratik, shumë etnik dhe europian. Kjo nënkupton se të drejtat e pakicave duhet të respektohen, por po aq duhet të mbrohet edhe funksionaliteti i shtetit dhe stabiliteti i institucioneve të tij.
Por nqs këto pretendime apo artikulime nuk janë të sakta, atëherë institucionet duhet ti përgënjeshtrojnë me shifra zyrtare, për të mos lënë hapësirë për dezinformim dhe manipulim. Por nqs ekziston një prirje e tillë, atëherë është momenti për një debat të gjerë kombëtar, ku të marrin pjesë juristë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të institucioneve dhe shoqëria civile.
Çështje të tilla nuk mund të trajtohen me emocione apo vetëm sjellje politike. Ato kërkojnë më shumë transparencë, më shumë përgjegjësi dhe vendime të matura.
E ardhmja e Kosovës nuk mund të lihet në dorë të paqartësive. Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën, ndërsa shteti ka detyrimin ta mbrojë atë me ligj, me institucione të forta dhe me politika që garantojnë sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu