Paqartësitë politike në Kosovë

0

Shkruan Zef Ndreka

Etja për pushtet absolut, prej vitësh po e lodh qytetarin e shtetit të ri të Kosovës. Vendi vazhdon të përballet me një krizë të stërzgjatur institucionale, duke u detyruar të shkojë për herë të tretë në zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër dhe sipas shumë vëzhguesve e analistëve, nuk përjashtohet mundësia që pas 7 qershorit të ketë sërish paqartësi politike.
Kjo kohë e humbur në Kosove, ka krijuar një situatë që po nxjerr në pah shumë vështirësi serioze në konsolidimin e shtetit dhe të kulturës demokratike, ndërkohë që faktorë të ndryshëm politikë, si VV-ja, vazhdojnë të bllokojnë dialogun e brendshëm dhe orientimin e qartë euroatlantik të Kosovës.
Qytetarët e Kosovës, tashmë po e kuptojnë se zvarritja e qëllimshme e krijimit të qeverisë dhe e institucioneve të tjera kushtetuese e ka dobësuar funksionimin e demokracisë dhe e ka ngadalësuar rrugën drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Pikërisht, në këtë klimë, dalja në skenën politike të Vjosa Osmanit dhe mbështetja që ajo duket se gëzon në opinionin publik, po shikohet nga mbështetësit e saj dhe votuesit e diasporës si një sfidë serioze për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Gjithashtu, nga ana tjetër, kundërshtarët e qeverisë dhe gjithë opozita në Kosovë, kanë ngritur akuza konkrete se po përdoren burimet shtetërore për qëllime elektorale dhe kanë kritikuar politikat që lidhen me pajisjen me dokumente kosovare të qytetarëve serbë të larguar prej vitesh. Është krijuar përshtypja se realisht këto masa të reja të Albin Kurtit, mund të kenë pasoja financiare dhe demografike për shtetin. Megjithatë, këto mbeten çështje jo vetëm të brëndshme të debatit politik, por kërkojnë vlerësim serioz mbi bazën e fakteve dhe të dhënave zyrtare.
Sot, më shumë se asnjëherë tjetër Kosova ka nevojë për institucione funksionale, për dialog politik dhe për një vizion të përbashkët shtetformues, në mënyrë që gjithë energjia e shoqërisë të mos shpenzohet në kriza të vazhdueshme, por në zhvillim, në integrim euroatlantik dhe në forcimin e demokracisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu