Shkruan Rifat Kullolli
Skena e djeshme në qarkun e Fierit, ku Kryeministri Edi Rama u shfaq krah për krah me ish zyrtaren e lartë të vënë nën akuzë për korrupsion, Belinda Balluku, nuk është thjesht një imazh elektoral. Është një akt i pastër karshillëku ndaj drejtësisë, moralit publik dhe, mbi të gjitha, ndaj vetë votuesit shqiptar.
Në çdo vend demokratik, prezenca e një figure nën hetim apo të pandehur në krah të liderit të vendit do të konsiderohej një “vetëvrasje politike”. Por në Shqipërinë e Rilindjes, kjo duket se është kthyer në një normë, në një shfaqje force që synon të përcjellë një mesazh të qartë.. “Ne jemi mbi ligjin dhe mbi ju.”
Promovimi i individëve që akuzohen për vjedhjen e parave publike përpara atyre që taksohen çdo ditë, është kulmi i arrogancës. Kur Kryeministri del para popullit me “të pandehurit” e tij, ai nuk po bën fushatë, ai po bën një provokim. Ai po i thotë qytetarit të Fierit dhe gjithë Shqipërisë se vota e tyre nuk shërben për të zgjedhur më të mirët, por për të mbrojtur të akuzuarit.
Ky veprim tregon dy aspekte të rënda të qeverisjes aktuale:
..Arroganca e Pakufishme.. Bindja se pushteti është aq i konsoliduar sa nuk ka më nevojë për etikë apo për t’u dukur i pastër.
Solidariteti me të pandehurit për vjedhje .. Kur një qeveri nuk distancohet nga të korruptuarit, por i mbron dhe i promovon ata, ajo pushon së qeni një organ administrativ dhe kthehet në një mburojë kolektive për individët e inkriminuar.
Tragjedia shqiptare nuk qëndron vetëm te vjedhja e fondeve, por te normalizimi i hajdutërisë. Duke i paraqitur të pandehurit si bashkëpunëtorë të devotshëm në sytë e popullit, Rama tenton të asgjësojë kuptimin e drejtësisë. Nëse personat që duhet të ishin para gjykatave duke dhënë llogari, qëndrojnë në tribuna degjrse apo elektorale , atëherë mesazhi për rininë dhe shoqërinë është shkatërrues “Krimi dhe korrupsioni të lartësojnë, nuk të ndëshkojnë.”
Ky fakt nuk është më thjesht një problem politik, por një krizë e thellë morale. Një qeveri që promovon vjedhjen si sukses dhe të pandehurin si model, është një qeveri që ka humbur lidhjen me realitetin dhe me popullin e saj. Fierakët dhe gjithë shqiptarët nuk meritojnë një “shfaqje” ku protagonistët kryesorë janë ata që dyshohet se u kanë futur duart në xhepa.
Në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për pushtetin lokal, pyetja nuk do të jetë më sa eshte vjrdhur ne rrugët apo projektet, por.. “A do të vazhdojmë të pranojmë arrogancën e atyre që vjedhjen e kanë kthyer në sistem?”



