Prokuroria e Elbasanit ka nisur me iniciativë hetimet për dëmtimet e shkaktuara që nga dita e djeshme, të cilat çuan në bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec.
Procedimi penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.
Që në orët e para të mëngjesit, në terren kanë qenë të pranishëm përfaqësues të IKMT Elbasan, Policisë Shkencore dhe Prokurorisë, të cilët po kryejnë verifikime intensive mbi aktivitetin e një kompanie që dyshohet se ka ushtruar shfrytëzim të paligjshëm të shtratit të lumit për nxjerrjen e inerteve.
Sipas burimeve nga grupi i inspektimit, po kontrollohet dokumentacioni për lejen e shfrytëzimit, koordinatat e miratuara të ndërhyrjes, si dhe respektimi i sasive të lejuara të materialeve të nxjerra.
Situata në terren paraqitet alarmante. Përveç bllokimit total të aksit që lidhet me projektin e Korridori VIII, rrëshqitjet e tokës kanë prekur edhe linjën hekurudhore si dhe linjën elektrike 110 kV, duke rritur rrezikun për ndërprerje të energjisë dhe pasoja të tjera zinxhir.
Ekspertët po analizojnë nëse ndërhyrjet në shtratin e lumit kanë ndikuar drejtpërdrejt në destabilizimin e tokës, duke përkeqësuar situatën gjeologjike në zonë.
Për shkak të dëmtimeve të rënda në rrugën Librazhd–Pogradec, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bllokuar plotësisht qarkullimin në këtë segment, si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës realizohet përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rrugë me infrastrukturë të amortizuar që e zgjat udhëtimin me rreth një orë.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin itineraret alternativë: Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë. Ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë duhet të përdorin akset përmes Pikës doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe Pikës doganore të Bllatës – Rruga e Arbërit.








