Media kanadeze Canadian Press i ka kushtuar vëmendje protestës së zhvilluar në Tiranë, duke raportuar për tensione, shpërthime dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Sipas raportimit, gjatë demonstratës u dëgjuan shpërthime, ndërsa protestuesit kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në shkrim theksohet se policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa një pjesë e protestuesve hodhën flakadanë dhe mjete piroteknike.
Artikulli vë në dukje se qeveria është përballur me presion në rritje për shkak të akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Prokurorët antikorrupsion kanë kërkuar heqjen e imunitetit të saj, duke e akuzuar për ndërhyrje në prokurime publike për të favorizuar kompani të caktuara — akuza që ajo i ka mohuar.
Raportimi i medias kanadeze e paraqet situatën si një përshkallëzim të tensioneve politike në vend, në një moment kur klima politike mbetet e polarizuar.








