Shkruan Zef Ndreka
Miku ynë Frederik Ruco, pak ditë më parë në rrjetin e tij social në facebook, shtroi një pyetje të thjeshtë në formë, por të madhe në peshë:
“Shteti mbron kombin, po kombin kush e mbron”?!
Kjo pyetje kërkon një përgjigje në formë analize.
Shteti mbron kombin me ligje, me institucione, me kufij.
Por kombin, në thelb, nuk e mbron dot askush nëse nuk e mbron vetë njeriu i këtij kombi.
Në çdo vend të botës kombin e tyre e mbrojnë
prindërit, kur u japin fëmijëve gjuhën, emrin, kujtesën, jo modat e huaja që e shlyejnë identitetin.
Kombin e mbrojnë mësuesit, kur e mbajnë gjallë mendimin kritik, kur ruajnë kulturën, kur mbrojnë historinë, kur nuk mbyllin gojën dhe formësojnë brezat pa shtyllë.
Kombin e ruajnë artistët, poetët, muzikantët, kur krijojnë për tokën e tyre, jo kopje të shëmtuara të kulturave të tjera.
Kombin e ruan diaspora, kur ruan rrënjët në dheun ku nuk jeton më, por që nuk e harron kurrë atë.
Kombin e ruajnë vetë qytetarët, kur nuk e shesin votën, dinjitetin, historinë, gjuhën e tyre për asnjë interes të vogël personal.
Nëse shteti ka detyrë të ruajë trupin, shpirti i kombit ruhet nga njerëzit e vet.
Dhe kur njerëzit dorëzohen, atëherë shteti, edhe po të dojë, nuk ka çfarë mbron më sepse kombi shuhet nga brenda, jo nga armiqtë e jashtëm.
Prandaj përgjigjja e vërtetë për mikun Frederik Ruco është kjo:
Kombin e mbron ai që e ndjen veten pjesë të tij.
Dhe kur kjo ndjenjë shuhet, kombi mbetet jetim.








