Shkruan Zef Ndreka
Pa pushtimin osman, Shqipëria do ishte sot më mirë se Kroacia dhe Sllovenia.
28 Nëntori do kishte qënë më mirë të ishte një festë e natyrshme shtetformuese, jo “ditë çlirimi nga pushtimi”.
Për ta shtjelluar këtë, mund ta them pa hezitim se 28 Nëntori është dita kur Shqipëria i dha fund një epoke të gjatë nën sundimin osman.
Lind pyetja:
si do ishte Shqipëria sot po të mos ishin ato 500 vite nën sundim osman?!
Kjo mbetet një pyetje historike që nuk merr dot një përgjigje të thjeshtë, por me shumë dashamirësi mund ta analizoj mbi bazë faktesh, krahasimesh dhe proceseve ndërkombëtare.
Në shek. XV, bërthama shqiptare ishte pjesë e civilizimit europian-perëndimor, me lidhje të forta me Republikën e Venedikut, me qytetari mesdhetare, me fe kristiane të konsoliduar dhe me një elitë fisnike e ushtarake të urbanizuar.
Nqs do kishim vazhduar zhvillimin natyral, urbanizimi do kishte qenë më i hershëm, shkollat e para kombëtare do kishin nisur që në shek. XVI–XVII, Rilindja Europiane dhe iluminizmi do ishin prekur drejtpërdrejt, trojet shqiptare dhe shteti do ishin formuar që në kohën e kombeve të para moderne.
Pra, potencialisht Shqipëria do të ishte futur në shek. XIX me institucione, me ekonomi tregu dhe identitet të konsoliduar të ngjashëm me shtetet e Adriatikut verior.
Por Shqipëria do kishte qenë më e madhe edhe si territor. Kjo nuk ndodhi, sepse lidhja mes copëtimit tonë dhe Perandorisë Osmane është direkte.
Kosova, Maqedonia Perëndimore, Mali i Zi lindor, Çamëria, të gjitha do ishin pjesë e një shteti shqiptar, ashtu siç Kroacia i mbajti krahinat e saj historike.
Kjo ndodhi, sepse pikërisht periudha osmane dobësoi elitën vendëse, ndërpreu vazhdimësinë shtetformuese, na gjeti të përçarë në 1912, kur fqinjët tanë kishin shtete të konsoliduara prej dekadash.
Një Shqipëri pa pesë shekuj sundim osman do kishte hyrë në shek. XIX në politike të barabartë me serbët, grekët dhe bullgarët.
Shqipëria do të ishte më e zhvilluar ekonomikisht.
Por sundimi osman e futi Shqipërinë në ekonomi feudale të prapambetur, me mungesë industrializimi, me mungesë tregtie të lirë, me mungesë infrastrukture dhe taksa të rënda shoqëruar me plaçkitje periodike.
Pa këtë “shkëputje nga Europa”, Shqipëria do kishte ndërtuar qytete të mëdha bregdetare në Shkodër, Durrës, Vlorë si Dubrovniku dhe Trieste, do kishte pasur rrugë, porte dhe tregje të zhvilluara, do ishte futur në industrializimin e shekullit XIX dhe do kishte krijuar borgjezi urbane dhe universitete para shekullit XX.
Në identitetin kulturor do ishim më homogjen.
Pesë shekuj lanë pasoja, ndarje të thella fetare, zhdukje të një pjese të aristokracisë shqiptare, shuarje të shkronjave, shkollave dhe administratës vendase dhe izolim kulturor nga Evropa.
Pa këtë ndërprerje Shqipëria do kishte ruajtur vazhdimësi kulturore të stilit venedikas dhe europian, feja nuk do ishte ndarëse, sepse gjithë Ballkani kristian sot është normalisht pjesë e Europës pa kontradikta të përhershme,
patriotizmi do ishte formuar shekuj më herët, si tek kroatët e çekët.
Pra, 28 Nëntori nuk do ishte “dita e shpëtimit”, por ndoshta “dita e shtetit të modernizuar”.
Gjithsesi, shpallja e pavarësisë në 1912 ndodhi me vonesë, në kushte dramatike, me territore të cunguara, me popullsi analfabete mbi 90%, pa institucione, pa ushtri e pa financa.
Pa periudhën osmane, Shqipëria do kishte shpallur pavarësinë shumë më herët, ndoshta rreth viteve 1700–1800, dhe 28 Nëntori do ishte një festë e natyrshme shtetformuese, jo “ditë çlirimi nga pushtimi”.
Si do ishte Shqipëria sot?
Shqipëria do të ishte një shtet më i madh gjeografikisht, me ekonomi mesatare e lart.
Do ishim anëtare e BE-së.
Do kishim infrastrukturë moderne dhe qytete të zhvilluara, kulturë dhe identitet më homogjen.
Do kishim klasa politike më të përgjegjshme dhe me traditë shtetformuese 300–400 vjeçare.
Pra, do ishim shumë më përpara, sepse 500 vitet e sundimit osman nuk ishin fermë kulture, por një ndërprerje e gjatë zhvillimi, integrimi europian dhe shtetformimi.
Ndaj 28–Nëntorin e shikoj si ditë çlirimi nga pushtuesit!








