Ja sa vite burg rrezikojnë Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi vetëm për akuzën e Kompleksit Partizani?!

0

Sali Berisha dhe dhëndri i tij rrezikojnë një dënim shembullor nëse akuzat e SPAK ndaj tyre do të konkretizohen në fund nga gjykata. SPAK i akuzon ata për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash, akuzat më të fortë të ngritur ndonjëherë ndaj një zyrtari të lartë. Në Kodin Penal parashikohet se këto tre vepra kanë dënimet më të lartë në fushën e korrupsioni.

Vepra e korrupsionit pasiv dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. Pastrimi i parave me pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Ndërsa fshehja e pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Parashikimet në Kodin Penal

Neni 260- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Neni 257/a- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet

Neni 287- Pastrimi i produkteve të veprës penale

1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen ose zhdukjen e origjinës së paligjshme të pasurisë ose dhënien e ndihmës për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;

c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi,

sipas ligjit për pastrimin e parave;

ç) fitimit, zotërimit ose përdorimit të pasurisë, kur dihet që është produkt i veprës penale; d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu