Albin Kurti dhe ministri i tij nuk kanë folur as me familjet e tre policëve!

0

Shkruan Alba Malltezi

Ndoqa me vëmendje dhe e alarmuar konferencën për shtyp të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ministrit të tij të brendshëm. Albin Kurti nuk ka folur me askënd për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës, as me KFOR-in, as me serbët, as me familjarët e tre policëve të Republikës së Kosovës, të rrëmbyer.

Pyetjeve profesionale dhe të zgjuara të gazetarëve të Kosovës ata jo vetëm që iu shmangen, por edhe janë ofenduese të inteligjencës duke i akuzuar se po bëjnë pyetje që i shërbejnë Serbisë! Me familjarët e tre policëve po flet Ministria e punëve të jashtme. Pra, një kryeministër i një shteti të ri e të vogël, nuk e sheh të nevojshme të dialogojë, të negociojë e të bashkëpunojë për të marrë më të mirën për tre qytetarët dhe shërbëtorët e shtetit të tij. Të paktën për t’i qetësuar, për të treguar se ai si kryeministër po bën të pamundurën.

Nga një anë thotë se për atë zonë që është kryer rrëmbimi, përgjegjëse është KFOR dhe se ushtria e Kosovës nuk e kalon lumin Ibër, dhe nga ana tjetër nuk shpjegon se pse u lanë të pambrojtur policët në atë zonë kaq të rrezikshme.

Përsërit e ripërsërit që “Unë respektoj ligjin! Jemi vend demokratik! Jam kryeministër i drejtë!”. E përsërit i pandjeshëm ndaj një situate tepër delikate dhe i paditur që dialogu me armikun është kryer që në lashtësi të njerëzimit dhe se negociatat dhe informacioni është një pasuri për popullin e tij.

Por Albin Kurti dhe ministri i tij nuk flasin me askënd. As me KFOR dhe as me kundërshtarët. Madje, siç dihet tashmë, nuk dëshiron dhe thumbon dhe këshillat e Shqipërisë.

Është alarmante ngurtësia e kryeministrit aktual të Kosovës dhe kjo ngurtësi, nëse nuk ndryshon, do të thyhet në kokë të tij dhe të njerëzve të brishtë në këtë histori.

Deri tani po u tregon shqiptarëve se faji nuk është i tij, faji është vetëm i të tjerëve, madje dhe i gazetarëve që e bezdisin me pyetje dhe që ai u thotë se “Kjo është konferencë shtypi dhe jo intervistë!”.

Zoti dhe aleatët e përhershëm mendofshin për Kosovën! Kryeministri dhe ministrat e tij, nuk dinë dhe nuk flasin me asnjë njeri! Vetëm akuzojnë të tjerët!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu