David Baerten, për t’i dhënë familjes mësimin e rëndësishëm që kurrë nuk duhet të humbasin kontaktet me njeri-tjetrin, vendosi që të inskenonte vdekjen e tij.
45-vjeçari nuk veproi vetëm. Për planin e mirëmenduar u vunë në dijeni duke e ndihmuar dhe bashkëshortja e fëmijët. Një nga vajzat e tij e ndihmoi të mashtronte ndjekësit, në atë që shumë nga populli i internetit e cilësuan si “shaka mizore”. Në rrjetet sociale shkruante:
“U prehsh në paqe babi! Kurrë nuk do të ndalem së menduari për ty. Pse jeta është kaq e padrejtë? Pse ti? Do të bëheshe gjysh dhe ende e kishe gjithë jetën përpara. Unë të dua! Ne të duam ty! Nuk do të të harrojmë kurrë”.
Dhe nuk e lanë me kaq. Ata organizuan ceremoninë mortore pranë Liezhit dhe për çudinë e të gjithëve që po vajtonin humbjen, “i vdekuri u ngjall”. Baerten bëri një hyrje madhështore me helikopter, i shoqëruar nga një ekip që xhironte.
Baerten u detyrua të shpjegonte veprimet dhe tregoi se këtë e bëri për të parë si do të reagonin familjarët e tjerë, me të cilët prej kohësh nuk kishte më kontakt të ngushtë.



