Nje superproduksion i vitit 2018/19. Fitues i 4 çmimeve ne Edicionin e 45-të te ‘’Golden Butterfly Awards’’ ne kategorite ‘’Cifti me i mirë i vitit ne Tv drama’’, “Aktori më i mirë fëmijë ’’, ‘’Skenaristi më i mirë ’’ dhe ‘’Regjisori me i mire”. Seriali me i ndjekur turk ne 7 vitet e fundit.
4 Premierat e tij thyen çdo rekord duke regjistruar 34% te market-share ne prime-time. Mbi 3 milione ndjekes ndoqen premieren e tij ne youtube ne vetem brenda 1 jave.
Ne rolet kryesore: Ulaş Tuna Astepe, İrem Helvacıoğlu, Mehmet Ali Nuroglu dhe Sinan Tuzcu. Nga regjisori i fenomenit turk “Lugina e Ujqerve”, Osman Sinav.
Lot në Detin e Zi: Shfaqje progresive televizive e vlerave tradicionale
Një nga serialet televizive më të ndjekura vitin e kaluar, “Lot në Detin e Zi” ka nisur transmetimet e tij nga 16 Shtatori ne Vizion Plus. Seriali ka shërbyer për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën në familje dhe për t’u dhënë fund disa roleve dhe sjelljeve të ndërtuara në shoqëri.
Ky serial televiziv e ka gjithçka me bollëk: brutalitetin e dhunës në familje, pafajësinë e ëmbël të romancës në lulëzim, lidhjet e forta familjare, faktorin e komedisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të personazheve dhe një thellësi dhe qëllim shumëplanësh për të ndërgjegjësuar shikuesit për problemet me të cilat gratë ende përballen kur ballafaqohen me dhunë në familje, marrëdhënie dhe martesa me detyrim, rritjen e një fëmije vetëm nën presionin shoqëror etj.
Seriali “Lot në Detin e Zi” kujton gjithashtu shikuesin për epokën e artë të serialeve të vjetra televizive turke, ku çdo personazh kryesor është pak a shumë i pëlqyeshëm, ku lidhjet familjare dhe të bësh gjënë e duhur ka një rëndësi të madhe, ku duke shikuar seriale lindin ndjenja origjinale, të ngrohta dhe komode dhe ku gratë kanë më në fund pavarësi dhe ia dalin me forcat e tyre.
Një aspekt tjetër interesant i këtij seriali është vlerësimi i karakteristikave të popullsisë së Turqisë veriore. Ashtu si Dr. Who i thotë Rozës që shumë planete kanë një Veri, shumë vende kanë një Veri, ku njerëzit priren të jenë më me humor dhe më kokëfortë sesa pjesa tjetër e popullatës, me një theks të adhurueshëm, tërheqës. Kështu është edhe zona e Detit të Zi të Turqisë.
“Lot në Detin e Zi” flet për një grua të re, e cila ka qenë viktimë e llojit më të egër të dhunës në familje dhe që më pas arrin të shpëtojë nga përdhunimet e vazhdueshme dhe dhuna në familje pas 8 vjetësh dhe 22 përpjekjesh. Nefesi, që në turqisht do të thotë “frymë”, është vërtet një frymë e freskët ajri. Bukuria e saj natyrale e godet në zemër teleshikuesin.
Abuzuesi i saj, Vedati, kërkon që ajo të bëjë makijazh gjatë gjithë kohës, kryesisht për të mbuluar mavijosjet, dhe, pasi shpëton, ajo pa dyshim nuk pranon të bëjë makijazh, njësoj siç nuk pranon të martohet ligjërisht me Vedatin, duke refuzuar të pastrojë krimet e tij, duke refuzuar, sepse para ligjit është koha e vetme kur ajo vërtet mund t’i thotë “jo” atij, i vetmi vend ku fjala e Vedatit nuk është ligj dhe ku kërkohet pëlqimi i saj. Kjo qasje është jokonvencionale dhe premtuese. Në të thuhet se seriali ka të bëjë me ndjenjat e Nefesit, perceptimin dhe mendimet e saj, nga këndvështrimi i saj.
Kështu, seriali e bën të qartë një gjë që nga fillimi: ajo i trajton çështjet në mënyrën më pak të pritshme. Abuzimi, dhuna në familje, pritshmëria e shoqërisë që gratë të binden, çështja e pëlqimit, ruajtja e marrëdhënieve të shëndetshme pas përdhunimit, çështjet fetare në lidhje me marrëdhëniet, martesën dhe pëlqimin, pastërtia dhe e kaluara e të shtypurve, fanatizmi ndaj grave të pamartuara me fëmijë… Diskutohen të gjitha çështjet që njollosin ndërgjegjen e shoqërisë.
Asnjë çështje nuk është shumë delikate për t’u marrë me të; nëse një çështje është e ndjeshme, ajo ndiqet pa hezitim, por me mirësi. Mënyra se si merren skenaristët me djalin e Nefesit, faktin që Jiiti është një fëmijë i lindur nga përdhunimi, është një shembull i mirë i kësaj. “Lot në Detin e Zi” e tregon historinë e tyre pa frikë, me egërsi, pa u tërhequr kurrë, me grushtet gati, duke mos ndalur kurrë së vëni në diskutim gjykimet dhe paragjykimet e shoqërisë.
Shpresë në dëshpërim
Nefesi nuk është një vajzë në ankth, që pret të shpëtohet nga një hero, përkundër çdo gjëje që ka kaluar. Ajo është praktike dhe gjithmonë me shpresë për të ardhmen. Rezistenca e saj ndaj dëshpërimit është ajo që e bën Tahirin të dashurohet me të.
Ajo është e arsyeshme, e ndjeshme, por nuk është femër e lehtë dhe s’mund të trajtohet si e tillë nga askush, as nga Vedati, keqtrajtuesi i saj prej 8 vjetësh, as nga Tahiri, që mendon se dashuri do të thotë të bësh atë që është e drejtë për njeriun që do, pa marrë parasysh se cili mund të jetë mendimi i saj; sigurisht, as nga njerëzit e fshatit Dogvillesk, që nuk e aprovojnë dashurinë e Tahirit, pasi Nefesi është një “e ve” me një fëmijë, ndërsa Tahiri është një i ri i pamartuar.
Tahiri është shpirti binjak i Nefesit. Ai është dashuri me shikim të parë. Sidoqoftë, pas atij shikimi të parë famëkeq, kur ai mendon se Nefesi është gruaja e Vedatit, ai i heq sytë prej saj me vendosmëri, me idenë për të mos e parë kurrë më, pasi është kundër kodit të tij të nderit që të shikojë gruan e një burri tjetër. Me shumë mundësi, kjo është arsyeja pse ai është i vetmi në mesin e familjes së tij që vë re se ajo ka mavijosje përgjatë dorës dhe krahut, dhe e pyet atë për to.
Ai është një njeri i rrëmbyer, me komplekse dhe parime disi të lashta, dhe ka mendime shumë të prera se si duhet të sillet një njeri. Qëndrimit të tij ndaj Nefesit dhe djalit të saj nuk i mungon përkushtimi, edhe pse në mënyrë pak të zbutur. Më e rëndësishmja, kur është në gabim, ai e kupton dhe e pranon fajin e tij dhe është i aftë të kërkojë falje. Në këtë aspekt, ai është po aq qetësues sa Nefesi.
Kur e kupton situatën në të cilën ndodhet ajo, Tahiri ia kushton jetën Nefesit pa pritur asgjë nga ajo. Dhembshuria e tij theksohet rregullisht gjatë serialit. Ai është një burrë që e do shumë, thellësisht, por rrallë e prek gruan që do, nëse ajo nuk merr iniciativën dhe, herë pas here, u reziston hapave që ajo ndërmerr, nëse ndjen se ajo e detyron veten t’i ndërmarrë ato, në vend që ta bëjë atë me dëshirë.
“Unë e dua optimizmin tënd,” thotë ai, “Unë e di se si të ka ndihmuar ai të përballesh me ferrin në të cilin ke qenë. Por nuk ke pse të shtiresh me mua. Para meje mos u shtir sikur nuk i ke plagët që mbart. Përkundrazi, më lër t’i shoh, më lejo t’i shëroj plagët e tua.” Ai zotohet se nuk do t’ia japë asaj pëlqimin e tij për të pasur një marrëdhënie me të, derisa shpirti i saj të shërohet plotësisht. Dashuria e tyre është elegante në kuptimin më të mirë të fjalës.
Lufta për dashurinë
Nefesi gjithashtu është e gatshme të vdesë dhe të vrasë për të, duke marrë plumba që kanë si objektiv Tahirin ose duke u përpjekur të vrasë Vedatin, pasi ai përpiqet të vrasë Tahirin. Ajo mund të jetë dashuria e tij e madhe, që e qetëson atë me një fjalë ose që e bën të anulojë planet e tij, gjë që s’ka mundur ta bëjë kurrkush më parë, por pavarësisht nga ato që ka kaluar në duart e Vedatit, kur bëhet fjalë për dashurinë, ajo i përgjigjet mirësisë me mirësi. Ai është elasticitet, kurse ajo është shpresë.
Sidoqoftë, dashuria e tyre nuk është një kopsht me lule. Ata mund të luftojnë me guxim me armiqtë jashtë, por kur luftojnë me njëri-tjetrin, lufta është shkatërrimtare. Në episodin e fundit të sezonit të parë, Nefesi mëson me çfarë kostoje Tahiri po e mbron atë dhe nuk është aspak dakord me këtë.
Ajo deklaron se ai është një hero i madh, por nuk ka brumin e duhur për të qenë bashkëshort i mirë dhe se ajo do ta lërë pasi të arrijnë të shpëtojnë nga katastrofa e fundit që hasën.
Serialet televizive turke janë të mbushura me burra me komplekse heroi. Qëndrimi i Nefesit është një kritikë e rrallë për sjelljet e tyre despotike.
Vedati dhe Nefesi janë në një marrëdhënie abuzive, ku Vedati rreh, torturon dhe përdhunon sistematikisht Nefesin.
Vedati është abuzuesi që ka qenë dëshmitar i abuzimit të shkaktuar nga babai i tij, si dhe është viktimë e abuzimit të tij. Vuajtja dhe veprimet e tij nuk mund të justifikohen, por, të paktën, në njëfarë mase, rrënja e së keqes së tij është e kuptueshme. Kjo është vërtet një lehtësim në botën e sotme të së keqes së panevojshme dhe të pakuptueshme.
Nëse Vedati ka ndonjë cilësi shëlbimi, ajo është kjo: ai nuk prek kurrë fëmijë me dorë. Edhe pse përdor forcë disproporcionale ndaj Nefesit, për ta bërë atë të pranojë humbjen dhe t’i nënshtrohet atij, ai nuk e godet kurrë fëmijën e tij.
Personazhet dytësore të serialit “Lot në Detin e Zi” janë po aq komplekse sa protagonistët. Osman Hodja, imami shumë i respektuar i fshatit dhe vjehrri i vëllait të madh të Tahirit, është pika qendrore e serialit. Aktet e tij kundërshtojnë nocionet dhe paragjykimet e shoqërisë.
Ai e pranon Nefesin në shtëpinë e tij kur fshati e sheh atë si një grua të pamoralshme, e do dhe e mbron atë si një baba i vërtetë, bisedon me të për t’i dhënë kurajë, duke e forcuar besimin e saj te Zoti përmes shpresës. Ai i nxit njerëzit të njohin mirë fenë, të mos ngatërrojnë disa supozime të gabuara me parimet aktuale fetare. Gjatë predikimeve të tij, ai korrigjon konceptet e gabuara të shoqërisë në lidhje me disa çështje fetare mjaft elokuente.
Ai paralajmëron njerëzit kundër thashethemeve, i flet me zemërim një personi që pretendon se Zoti i lejon burrat të rrahin gratë e tyre, kur të gjithë protestojnë për martesën e Tahirit dhe Nefesit, ai i kujton ata për gruan e parë të Profetit, Hatixhenë, e cila ishte po ashtu vejane dhe i paralajmëron ata se do të ofendonin Profetin dhe gruan e tij, nëse do të përçmonin martesën midis një të veje dhe një beqari.
Të mirë apo të këqij, pothuajse të gjithë personazhet e serialit janë të fortë. Shembulli më i mirë është Asija, gruaja e vëllait të madh të Tahirit, Mustafait. Asija është inteligjente dhe e guximshme, ajo kurrë nuk heziton ta ndihmojë dhe ta mbrojë Nefesin.
Dashuria e saj për të shoqin është e dukshme, por kur zbulon se burri i saj ia jep djalin e Nefesit babait të tij, në këmbim të jetës së Tahirit, e lë atë pa ngurruar dhe e qorton ashpër për këtë tradhti të parimeve themelore. Mustafai është gati aq i mirë sa gruaja e tij; ai e di që bëri një gabim të rëndë, lejon që të qortohet ashpër nga gruaja e tij, pendohet dhe është i gatshëm të vuajë pasojat e veprave të tij. Të gjitha këto janë cilësi të rralla për t’u parë te një burrë në serial turk.
“Lot në Detin e Zi” thekson veçanërisht rëndësinë e të shkuarit në polici dhe të kryerjes së denoncimeve kundër dhunës në familje, si dhe domosdoshmërinë e kërkimit të ndihmës profesionale në rastet e traumave psikologjike. Në rastet kur Nefesi ose viktimat e tjera të dhunës në familje bëjnë denoncim kundër sulmuesve të tyre, policia dhe ligji janë pas tyre, duke i mbrojtur ato.
Po kështu, kur kërkojnë ndihmë profesionale, shkojnë te një psikiatër, për shembull, ato zbulojnë se mund të përballen shumë lehtë me problemet e tyre. Por kur nuk i drejtohen ligjit ose nuk kërkojnë ndihmë profesionale, pasojat janë më të këqija.
Sidoqoftë, “Lot në Detin e Zi” ka edhe gjëra që nuk shkojnë. Shfaqja e paqartë e skenave të dhunshme bëhet herë pas here shqetësuese. Ndryshimi i skenaristëve për sezonin e dytë shkaktoi indinjatë në gjirin e fansave që kanë frikë se skenaristët e rinj nuk do të jenë në lartësinë e atyre të mëparshmëve.