MALESIA E MADHE ME VEZIR PËR  PERANDORINË TURKO-OSMANE !

0

Shkruan Ndue Bacaj
Duket disi “paradoksale” të thuhet se nga treva me anti-osmane e krejt Shqiperisë Etnike, Malesia e Madhe, të ketë patur vezir. E kjo të duket e tillë, pasi është pikerisht kjo trevë, që ndër shekujt  e shumtë të pushtimit turko-osman nuk u pajtua kurr me reformat, taksat e sundimit aziatik, duke u kthyer keshtu në treven simbol të luftrave, perpjekjeve per liri dhe autonomi. Aq e madhe kishte qenë qendresa sa kishte detyruar ndër shekuj perandorinë që malësoreve tu linte një autonomi mjaft substanciale per atë kohë. Por ja që edhe në këto kushte  kishte ardhur një ditë dhe nga mali i njohur i Shkrelit, apo më saktë nga fisi i Malotajve, të fshatit Bzhetë  të “lindë” një vezir, i cili ishte “piketuar” nga perandoria turko-osmane të sundojë pashallekun e Shkodrës në fillim të shekullit të XIX.

Histori  e Vezirit  Mehmet Lucë  Malotaj

Rreth vitit 1780  një djalosh i ri nga fshati Bzhetë i Shkrelit me emrin Tomë Lucë Malotaj, kishte rënë në sy të autoriteteve turko-osmane. Kishte rënë në sy  si djalë i shkathëtë, si djal i bëshëm dhe që bënte shenj me inteligjencën e tij. Për keto cilësi Tomë Lucë Malotaj i ri njihej e admirohej jo pak nga fisi i tij Malotaj, fshati Bzhetë, por edhe nga jo pak të ri e të vjetër shkrelas që kishin pasur rastin ta njohin. Autoritetet vendore turko-osmane duke pasur si qellim “zbutjen” dhe “afrimin” me  popullsinë shkrelase e malësore të papajtuar thuajse kurr me pushtuesit turq, shfrytëzojnë edhe dëshiren e madhe që kishte shprehur Tomë Lucë Malotaj per tu shkolluar, duke i propozuar Tomës, që të ndryshojnë fenë nga Kristiane-Katolike në fenë Islame, dhe deshirat e tij do të plotësoheshin…

Tomë Lucë  Malotaj si i ri me ëndërra që i kishte para se të pranonte të bëhej Musliman u kerkon autoriteteve turko-osmane në Shkodër , perveç të tjerave edhe plotësimin e dy kerkesave: E para, ndertimin e një ujësjellësi per banoret e Bzhetës, ujësjeddhës  që fillonte  tek burimi i ujit në Dragan (Xhaj) dhe përshkonte tërë Bzhetën deri në “fundin” e saj tek shtëpia e Pal Qotes (sot e trashigimtarëve të tij Nikollë e Fran  Pali), ku aty afër njihet vendi ku thirret (edhe sot) Kodra e Çesmës.  Gjatësia e ketij ujësjellësi ishte rreth 7.5 km. (Ky ujësjedhës i ndertuar nga autoritetet turke u shkatërrua gjatë luftrave antiturke të shkrelasve e malësorëve në fillimet e viteve të shek. XX. Tuba qeramike të demtuar aty ketu i kam dalluar edhe unë si autori i ketij “shkrimi”, kur kam qenë agronom atje në vitet 1989-1990).

Kerkesa e dytë kishte qenë që në fshatin Zagorë ku popullsia katolike ishte islamizua me shumicë, dhe  kishte një “ndertim” të vogël (xhami) ku faleshin keta banorë ti lihej një sasi toke – livadh, që kur të shkonte per t’u falur e kryer adetet si musliman të kishte vendin e tij per të lidhur kalin ai dhe ata që do ta shoqeronin. (Edhe sot afer xhamisë së vjeter të Zagores gjindet një tokë që njihet me homonimin “Livadhi i Malotes”). Në keto kushte Tomë Lucë Malotaj u bë Mehmet Lucë Malotaj (dikun thuhet edhe Ahmet…). Perandoria turko-osmane tashma Mehmet Lucën e dergon per disa vite të shkollohet dhe “edukohet” në Stambollë, ku edhe provohet në nivele të ndryshme të administrates turke per disa vite…

Gjatë ketyre viteve Mehmet Luca shfaqë cilësi, inteligjencë dhe aftësi më shumë se çfar kishte qenë pritja e autoriteteve turke. Ishin vitet e zjarrta 1786-1796, kur bushatliu i madh Karamahmud Pasha kishte shpallur Konfederaten Ilirike dhe autonominë nga perandoria turko-osmane, duke e qeverisur Vilajetin e Shkodres si një shtet të pavarur, të lirë e deri të njohur si të tillë nderkombëtarisht. Në keto kushte kur perandoria turko-osmane ishte në luftë me Karamahmund Pashë Bushatliun dhe Konfederaten e tij Iliriken, Stambolli kishte menduar që pasi të rrëzonte Karamahmud Pashen të vendoste si vezir të Shkodrës shkrelasin Mehmet Lucë Malotën

Por mbasi vritet në mbrojtje të trojeve etnike të Konfederatës Ilirike i madhi Karamahmud Pasha në vitin 1796, e zevendeson vëllai i tij Ibrahim Pasha, i cili i nënshtrohet plotësisht perandorisë pushtuesve turko-osmane. Në vitin 1809, vezir i Shkodrës bëhet Mustafa Pashë Bushatliu, por që vehten e quajti Mustafa Pashë Shkodërliu (Shkodrani). (Hamdi Bushati, Shkodra dhe Motet… vll.II, fq. 455, Shkodër 1999). Ky vezir apo vali,  megjithse ishte një sherbëtor i bindur i pushtuesve turq, Stambolli per interest e veta turke kishte vendosur ta zevendesonte si vezir me malësorin prej Shkrelit, Mehmet Lucë Malotën, të cilin e “emron” vezir.

Per këtë Mehmet Lucën e nisë me ferman per t’u pergatitur e vendosur në krye të vilajetit (apo pashallekut) të Shkodrës. Veziri Mustafa Pasha ishte njoftuar per këtë zevendesim të tij. Ai si një sherbëtor i bindur i perandorisë turko-osmane, nuk kishte “aftësi” ta kundershtonte ballë-perballë ketë ferman, por ai me administraten e tij ndërmori veprime të tjera tinzare, si duke i thënë Stambollit se Mehmet Lucë Malotaj, nuk ishte një musliman i mirë, madje ishte me hile, pasi ishte kthyer vetem ai musliman, dhe nuk kishte mundur të muslimanizojë as edhe një banor të Shkrelit e më gjërë, duke perfshirë edhe bashkëfshatarët e fisin e tij të Malotajve. Gjithashtu me anën e hafijeve ishte munduar të perhapte fjalë nga më denigrueset per Mehmet Lucë Malotën.

Se sa i kishte degjuar fjalët e Mustafa Pashës “porta e lartë”, kjo nuk dihet me siguri, por me siguri dihet se nga smira, inati dhe dashakeqësia e Mustafa Pashës kishte gjetur vdekjen kur kishte mbërritur në Shkodër veziri i ri i sapo emruar Mehmet Lucë Malotaj. (Më e besueshmja sipas gojdhënave, është ajo që thotë se veziri Mehmet Luca ka gjetur vdekjen nga helmimi që i kishte bërë nepermjet sherbëtorë të tij). Megjithse djali i Shkrelit  Mehmet (Tomë) Lucë  Malotaj  kishte ndryshuar besimin, shkrelasit nuk e kishin mohuar kurr Mehmet Lucen si djalin e tyre për së gjalli, ndaj ata edhe për së vdekuri nuk e mohuan, por vendosen t’i marrin gjakun siç e lypte kanuni dhe zakoni.

Në vitin 1814 janë shkrelasit ata që organizojne luften hakmarrese kundër Mustafa Pashë Bushatliut në Shkoder, sepse ishte ai që për xhelozi vrau vezirin e posazgjedhur të Shkodrës, Ahmet (Mehmet N.B.) Luc Maloten)”… Shkrelasit… në pamundësi t’ia dilnin në krye Pashës, në shenjë hakmarrje vranë djalin e tij 19-vjeçar në Kakarriq. (Dom Nikë Ukgjini, Shkreli – një vështrim historik-kulturor, fq. 36-37).

Vlen të cilësohet se për vdekjen e vezirit Mehmet  Lucë  Malotaj qeveria turko-omane heshti, pasi luftën në mes familjeve e fiseve shqiptare, e nxiste dhe financonte vazhdimisht me grada e ofiqe, me qellim që të “harrohej apo ndalohej” sado pak lufta që shqiptarët duhet të ndermerrnin ndaj pushtuesit mizor e shekullor turko-osman….

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu