Shkruan Andi Bejtja
Mega afera tashmë e njohur “McGonigal” nuk mund të shikohet ngushtësisht si një çështje e drejtësisë amerikane apo në rastin më të keq si një serial thriller Netfliksi me zyrtarë të FBI të korruptuar nga rusët. Apo si një black comedy, në rastin e pjesës amerikano-shqiptare, ku një ish- agjent i sigurimit shqiptar i jep lekë borxh në dorë bosit të FBI-së dhe ku një drejtor i një kompanie kineze kënaq dhe fantazinë më të shfrenuar të regjizorit, se është në të njëjtën kohë dhe këshilltari pa pagesë i kryeministrit shqiptar.
Vetëm aktakuza e Jurisë së Madhe, si rezultat i një hetimi disa vjeçar, nxjerr dy konkluzione të gurta që shkojnë përtej jurisprudencës: gangsterët e përfshirë në këtë histori kanë përdhunuar sigurinë e Amerikës, ndërsa për shqiptarët na kanë përçudnuar jo vetëm imazhin e Amerikës, por mbi të gjitha na kanë futur në arkivol pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri.
Pjesa më dramatike për ne si shqiptarë, është momenti kur sekseri shqiptar, i jep para zyrtarit të lartë të FBI për të varrosur opozitën shqiptare me letra dhe fjalë të mara nga zyra e Kryeministrit shqiptar nga sekseri tjetër po shqiptar.
Thënë shqip dhe shkoqur, një Kryeministër i një vendi me më pak se tre milione banorë të mbetur, një zyrtar i lartë i FBI dhe dy sekseruq shqiptarë, jo vetëm thjesht vënë në diskutim sigurinë e Amerikës, por arrijnë të zhvendosën gjithë aksin demokratik të marëdhënieve Amerikë-Shqipëri, duke i bërë politikanët dhe diplomatët përtej oqeanit të gjykojnë dhe të veprojnë në mënyrë jo vetëm të padrejtë, por ndoshta dhe antidemokratike.
Nuk është çudi që një zyrtar i lartë atij niveli, që arrin deri aty sa t’i heqë sanksionet një nga oligarkëve më të mëdhenj rus, të mos ketë lehtësisht efektshmëri për heqjen apo vendosjen e një non grate të një politikani opozitar që armë të vetme kishte vetëm iPad dhe Facebook dhe për më tepër në një vend 3 milionësh ku Kryeministri i këtij vendi ngre dorën vullnetarisht për të marë muxhahedinë e afganë që dhe vetë Amerika e Madhe heziton t’i mbajë.