Sipas Prokurorisë, objektet janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e këtyre veprave penale.
Prokurori Maloku tha se të gjitha objektet e ndërtuar në zonën e dytë të Brezovicës janë sekuestruar përkohësisht. Sipas tij, në këtë zonë nuk lejohej fare ndërtimi.
“Këto janë kryesisht, vikend-shtëpiza apo vila. Ka qenë edhe një hotel, edhe atë e kemi sekuestruar. Ndërkaq, objektet hoteliere gjenden në zonën e tretë [të Parkut Kombëtar ‘Sharri’] dhe në ditët në vijim do të shikojmë se çfarë do të bëjmë me to”, tha Maloku.
Në total janë sekuestruar rreth 100 objekte, përfshirë 80 objekte të ndërtuara plotësisht e disa në ndërtim e sipër. Rasti gjyqësor Brezovica është iniciuar në dhjetor të vitit 2021. Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka paralajmëruar edhe aksione tjera. “Jemi te vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të vendosen para drejtësisë dhe organeve kompetente”, ka shkruar ai.