1 Qershori apo e Diela e dytë e Qershorit? Cila është vërtet Dita e Fëmijëve?

0

Shkruan Kostantin Luçi

Shumë pak e dinë se origjina e Ditës së Fëmijëve lidhet ngushtë me besimin e krishterë.
Në vitin 1856, pastori Charles H. Leonard nga Kisha e Parë Universaliste në Çelsi të Masaçusetsit (SHBA), vendosi që një e diel në qershor t’i kushtohej fëmijëve – si një ditë për përkushtimin e tyre në jetën e krishterë, dhe për t’i inkurajuar prindërit e kujdestarët që t’i rrisin me mësimet e Krishtit.

Kjo shërbesë u mbajt për herë të parë të Dielën e dytë të Qershorit, dhe u quajt fillimisht “Dita e Trëndafilave”, më pas “E Diela e Luleve”, derisa mori emrin që sot njihet si Dita e Fëmijëve.
Në vitin 1867, Kongresi Universalist miratoi një rezolutë që lavdëronte kishat për vendosjen e një të diele në vit si ditë e dedikuar fëmijëve. Në vitin 1868, Kisha Metodiste rekomandoi zyrtarisht që e diela e dytë e qershorit të njihej çdo vit si Dita e Fëmijëve. Po ashtu, në vitin 1883, Këshilli Kombëtar i Kishave Kongregacionale dhe shumë organizma të tjera fetare në SHBA mbështetën të njëjtën nismë.
Ndërkohë, 1 Qershori që sot festohet në shumë vende, u vendos në vitin 1954 pas një vendimi të marrë në Kongresin Ndërkombëtar të Grave në Moskë, në vitin 1949.
Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se Dita e Fëmijëve lindi si një ditë për t’i përkushtuar fëmijët Krishtit, dhe ky mesazh nuk duhet të humbasë. Fëmijët kanë nevojë për më shumë sesa ëndrra, fantazi apo lodra – ata kanë nevojë për shpresë. Dhe shpresa nuk është thjesht një dëshirë, por një besim i palëkundur në Jezus Krishtin.
Në Ungjillin sipas Lukës 18:16, Jezusi na thotë:
“Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tillëve u përket mbretëria e Perëndisë.”
Kjo është thelbi i kësaj dite.
Burime:
Gazeta Reading Eagle, 11 Qershor 1917
Universal Children’s Day – Christian Adoption Services (arkivuar më 16 qershor 2016)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu