Shkruan 𝐌𝐢𝐦𝐨𝐳𝐚 𝐀𝐡𝐦𝐞𝐭𝐢
Mamka, mos ta lexoj këtë letër tjetërkush veç teje,
jo se sekrete, por ende nuk jam e fortë plotësisht
për t’i mundur këto që po të them:
Tirana është fare e zakontë.
me ngushtësinë e shtëpive të ulëta,
me udhët e lodhura të dimrit,
me një pesëmbëdhjetëkatësh në qendër
ngritur si utopia ime,
me roje të përforcuara në udhëkryqe ambasadash,
me police-qukapikë qershori të zbehur.
Diç parandjej, mamka!
Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,
kurrë tradhëtia e burrave nuk ka qenë më në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.
Po të them e dashur, rreziku po më fton duke qeshur
me gojën pa dhëmbë të një dashurie kafshuese
me çarje në karakter,
që është një pjesë e çarjes shoqërore,
po më ofrohen detyra, miq e të njohur të shumtë,
të gjithë të lartë nga emrat, por të ulët nga tensioni i jetës,
përpiqen të më ngrenë duke u kapur pas meje,
po më rrëzojnë ende pa u ngritur.
E dashur, dëgjomë pa shqetësim,
unë do t’i grij, do t’i grij, po të them,
si në makinën e mishit
në vargjet e mia.



