Walt Whitman, poeti që shkroi Biblën e shpirtit amerikan, mishëruesi i besimit dhe forcave të epërme të zotërimit

0

Albert Vataj

Ai, Walt Whitman, poeti që shkroi Biblën e shpirtit amerikan, u lind më 31 maj 1819 dhe u shua më 26 mars të vitit 1892 në moshën 73-vjeçare, duke mbetur në kujtesën e letërsisë botërore dhe historisë, si poeti që përfaqëson dhe personifikon Amerikën, mishërimin e forcave të epërme të zotërimit, zellin dhe zërin e gjeneratave që vunë gurëthemelet më të rënda të një kombi të madh.

Jo rastësisht, për vite të tëra vepra e Walt Whitman është konsideruar si Bibla e demokracisë amerikane, shpirti i shpresës, emblema e një shteti në rritje, simboli forcës që lind nga mundi dhe nga puna, nga nevoja e dëshirimit të jetës. Në poezinë e tij, individi shndërrohet në komb. Poezitë e Walt Whitman erdhën si lajmi i mirë i ngjalljes së shpresës. Nevoja e këtij shpirti për të kënduar, jetësoi kësodore shprehinë demokratike të miliona amerikanëve dhe jo vetëm. Me një gjuhë të përzier e krejtësisht personale, poeti në lirikat e tij kompozon një himn të pasionuar të mundësive ideale të individit dhe të botës, duke lartësuar dhe stërpikur me puhiza të hyjshme, natyrën njerëzore dhe mrekullinë e realitetit të përditshëm. Ai ishte i njimendtë si një vullnesë e shenjtë, kjo ndoshta edhe për vetë shpirtin e atij populli që hapi kanatat dhe e mishëroi atë si një fluturim parajsor.

Walt Whitman beh papritmas dhe në koherencë si një vullnet i epërm, me hovet e gjallimit të një ngulmi përtëritës. Erdhi në atëkohjen kur kremtohej pavarësia amerikane. Erdhi si një kumtues i një vepre që lartësonte shpirtin e atij populli, asaj njerëzie që rrëmon ngadhnjyeshëm mes rrënojave të luftës, kujtesës së britmave dhe apoteozës së dhimbjes, shpresën shpëtimtare.

Ai do të vinte me një mision të shenjtë. Jo medoemos si një dishepull, as si një apostull, por një rrëzëllimë drite që feks befas në qiejt e ngrysur prej reve të luftës, në tokën e mbjellë me varre e në shtatin e drobitur, e përplot vrragë të një shoqërie në kapërcyell të kohëve.

“Arritjet estetike të Whitmanit kanë ende nevojë për vlerësim dhe në disa raste janë të keqkuptuara… ai është artisti më i madh, që ka nxjerrë kombi. Dhe vërtet, në 400 vitet e fundit, asnjë figurë tjetër artistike nuk është e krahasueshme me atë të Whitman-it në të gjithë Amerikën dhe Karaibet.

Arti i tij pasqyron studime të vetëdijshme të pararendësve të tij në gjuhë, pavarësisht se, kombësia e tij amerikane do ta bënte atë të prirur ndaj traditës britanike.

Walt Whitmani ishte kremtuesi vendimtar i asaj, të cilën ne ende do të vazhdojmë ta quajmë “Besimi Amerikan”, një shkrirje e çastit i të gjitha besimeve në një amalgamë të Entuziazmizmit dhe Agnosticizmit, që shënoi fillimin e rënies së protestantizmit europian në Amerikë dhe që filloi Cane ridge revival më 1800.

Walt Whitman ishte poet i madh i një kombi të madh. Zëri i një mishërimi ndryshesash dhe ngadhënjimi. Ngulmi i kumteve të tij artistike u kthye asokohe në limfën amerikane të gjenerimit të pulsit të vërshimeve të hovshme. Rrapëllimave të një shpirti që do të mëkonte me fjalë, maksima, lirika dhe thellësi mendimi, ushqimin e gjallimit harlisës të shpirtit, i një populli të drobitur nga lufta.

Tek Walt Whitman gjallon një personalitet i tjetërllojtë i kumtit dhe këndimit. Ai është poeti i një energjie përtëritëse, i vitalitetit, asaj që lind magjishëm dhe vetvetiu. Ndër shpërthimet e atij shpirti predikues përftohet një tretësirë e përbërë nga humanizmi dhe hyjnorja, duke kumtuar sakaq afrinë me njerëzit dhe duke u kunguar atyre këtë ngulm sentimentesh si urdhnesat e një shëlbyesi siç mund të ishte vetëm Walt Whitman.

Duke përçapur të shkelim në vitet e hershme të rrugëtimit si personalitet, mësojmë se ai frekuentoi shkolla të ndryshme, por mbeti autodidakt, kremtues i së natyrshmes. Në lëmin e krijimit mbamendet të ketë botuar pjesë një romani, por më 1855 del dritë në New York përmbledhja me poezi “Fije bari”, e cila do futej në fondin e artë të letërsisë botërore, si themeli i poezisë moderne. I rrokur prej kërshërisë së shumë gjuhëve të botës, ky libër do të ngaste gjenerata të tëra dishepujsh, përfaqësuar prej zërash të fuqishëm të poezisë botërore. Por s’pariherë ajo ishte gjaku i shpresës në shtatin e Amerikës së pasluftës, ishte vetë Amerika, ishte ajo që e shuguroi Walt Whitman, atin e Amerikës.

Jeta e poetit

Walt Whitman lindi më 31 maj 1819, plot 195 vjet më parë, pranë Huntington, Long Island, ishulli në formë peshku për të cilin flet shpesh në poezitë e tij, ishull i adhuruar dhe i urryer në të njëjtën kohë, në një familje në gjendje jo të mirë ekonomike. Babai, ndonëse nuk kishte një punë të përhershme, solli në botë nëntë fëmijë. Whitman do të kishte një lidhje të veçantë me nënën, saqë vdekja e saj, ndodhur kjo gjithsesi në moshë shumë të vonuar, e degdisi atë në një gjendje dërrmimi. Kjo goditje do të linte gjurmë pesimizmi në pak nga poezitë e Walt Witman. Në vitin 1823, familja vendoset në Brooklin, kur poeti i ardhshëm ishte 4 vjeç. Witman deri në vitin 1830, iu dedikua studimeve, pastaj filloi të mësojë mjeshtërinë e tipografit. Në vazhdim punoi si mësues filloreje, fatorino dhe një mori angazhimesh të tjera derisa u bë gazetar. Kalimi nga tipograf në gazetar ishte një gjë e natyrshme asokohe në Amerikë. Në këtë periudhë, lindi dashuria e tij për lëvrimin e poezisë.

Në vitin 1833 boton atë që do ta shpallte atë përfundimisht poet dhe “shenjtor”, librin “Fije bari”. Libri kur doli s’pariherë vetëm portretin e tij me uniformë punëtori në kopertinë. Dymbëdhjetë  poezitë pa titull dhe një parathënie dhe foton e tij me uniformë punëtori në kopertinë, ishte gjithçka e këtij botimi.

Vitet e famës dhe ndarja tokësore

Rrugëtimi i famës së këtij “ati” shpirtëror do të vijonte ta mbante në zenit famën dhe interesin për poezinë e Whitman.

Harold Bloom te “Amerika e Walt Whitmanit” shkruan se Ralph Emerson-i ishte Elijani, ose John Baptisti i Krishtit amerikan të Whitmanit. A nuk është Whalti aq enigmatik, fluturak, bishtnues, tërheqës sa Jezusi tek Ungjilli i Markut? Ai e vetëpublikoi Fije bari dhe ia dërgoi Emerson-it, i cili iu përgjigjvetpërurimit mendjehollë e të papritur më 21 korrik 1855. Se ishte, sikundër është edhe pas një shekulli e gjysmë, – “pjesa më e jashtëzakonshme e zgjuarsisë dhe mençurisë, që Amerika ka nxjerrë ndonjëherë”. Emerson-i vazhdon: “Ndjehem shumë i lumtur tek e lexoj atë, meqë fuqia e madhe na lumturon. Të përgëzoj për lirinë dhe mendimet e tua aq të guximshme. Kjo më gëzon shumë. Gjej gjëra të pakrahasueshme të thëna në mënyrë të pashembullt. I fërkova pak sytë për t’u bindur, nëse kjo rreze dielli nuk ishte gënjim, por plotëria e librit është e vërteta e esëllt. Libri ka meritat më të mira për sa i takon ndjesisë së fuqisë dhe nxitjes.”

“Fijet e barit” dhe këputja

Vijojnë botime gjithnjë e më të shpeshta të teksteve tashmë të famshme uitmaniane. Botimi i katërt e i pestë shohin dritën mes viteve 1867 e 1868, ndërsa botimi i gjashtë është ai i vitit 1876, për tu pasur Nga i shtati, ai i vitit 1882. Ndërkohë, Whitman bën ndonjë udhëtim: shkon në St. Louis, pastaj në Ontario, për të gjetur doktor R.M. Bucke që do të shkruante studimin e parë kritik për të. Në vitin 1873, do të merrte një goditje frenuese të këtij vërshimi, me një paralizë të pjesshme, por, fatmirësisht, rimerr veten. Më 1884, merr me qirà një shtëpi në Mickle Street, në Camden; në vitin 1888 ka një tjetër paralizë. Ndonëse në kushtet e krizës ekonomike, do të gjendeshin fondet për ta ndihmuar. Në vitin 1889 del botimi i tetë i “Fijeve të barit”. Në vitin 1891 Whitman filloi të përgatisë të ashtuquajturin “death-bed edition”, botimin në shtratin e vdekjes, publikuar më 1892. Po atë vit, më 26 mars, ndahet nga jeta në moshën 73-vjeçare. Vepra e plotë, poezi dhe prozë, iu publikua më 1902, në dhjetë vëllime, duke bërë të mundur ngjizjen e këtij kurmi të plazmojë në memuarin e vetëdijes dhe shpirtit amerikan, si një pjesë e historisë dhe mishërimit të shpresës së kombit, të cilit i shërbeu si një “shenjtor” i shpresës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu