Vula e PD-së, drejtësia mund të mos shprehet deri në vitin 2025

0

Një ditë pas zgjedhjeve lokale, në datën 15 maj demokratët iu drejtuan gjykatës së Lartë, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të gjykatës së Apelit dhe regjistrimin si të ligjshëm të kuvendit të 11 dhjetorit e rrjedhimisht njohjes së Sali Berishës si kryetar i Partisë Demokratike. Sekretari për çështjet ligjore Ivi Kaso shpjegon se sipas ligjit vendimi i gjykatës së Lartë duhet të kishte dalë brenda 30 ditëve, pra në 15 qershor.

IVI KASO

SEKRETAR PER CESHTJET LIGJORE, PD-KOMISIONI I RITHEMELIMIT

“Përsëri gjykata e lartë përveç se veprimeve të para përgatitore pra hedhjes së shortit dhe përcaktimit të gjyqtarit relator, nuk ka kryer asnjë veprim tjetër duke qenë në shkelje të hapur të dispozitave procedurale që rregullojnë shqyrtimin e këtyre çështjeve.”

Në dhjetor mbushen dy vjet nga moment që PD nisi betejën gjyqësore për legjitimitetin e drejtuesve të saj, por ende sot askush nuk mund të thotë se kur gjykata do të mbyllë debatin për këtë çështje.

“Eshtë një njollë turpi për sistemin e drejtësisë por veçanërisht për reformën e re në drejtësi që presupozohet të sillte një trajtim të një natyre krejt tjetër të çështjeve që mbartin një sensibilitet të lartë publik që çështja e legjitimitetit të organeve drejtuese të partisë më të madhe të opozitës, mbahet peng dhe është ende në kalendat greke pra nuk dihet ende se kur do të marrë zgjidhje.”

Janë 4 padi sot në gjykatë që lidhen me të drejtën për të mbajtur logon dhe vulën e Partisë Demokratike. Nga njëra anë është Edit Harxhi e cila prej një viti kërkon që gjykata të njohë dorëheqjen e Bashës në marsin e vitit 2022. Nga ana tjetër është lideri i opozitës Sali Berisha i cili pret vendimin e Gjykatës së Lartë, është Gazment Bardhi i cili ka kërkuar në gjykatë të mos njihet procesi i organizuar nga Lulzim Basha, dhe është vetë Basha i cili në shtator ka shkuar në gjykatë për të regjistruar statutin e tij të ri.

Sipas kuadrit ligjor çështjet shqyrtohen sipas rendit kronologjik. Për ta shpjeguar konkretisht nëse Gjykata e Lartë rrëzon Sali Berishën, atëherë çështja e kuvendit të 11 dhjetorit rinis shqyrtimin edhe njëherë në shkallën e parë, në shkallën e dytë e më pas në Gjykatën e Lartë. Pasi të mbarojë kjo, e njëjta procedurë do të ndiqet me çështjen e Gazment Bardhit dhe pasi të mbarojnë të gjitha këto do të nisë procesi për njohjen e Lulzim Bashës si kryetar i PD.

Në këtë situatë ka pak gjasa që në zgjedhjet e 2025 çështja e logos së Partisë Demokratike të marrë zgjidhje.

“Unë besoj që qartësisht ky është qëllimi i mazhorancës e cila ushtron të gjithë instrumentat e saj të presionit në sistemin gjyqësor, instrumenta të cilat i ka jo të pakta me qëllimin e vetëm për ta mbajtur jo vetëm opozitën të përçarë, por për ta mbajtur opozitën në një krizë formale legjitimiteti, c ka do t’ia pamundësonte regjistrimin në një proces zgjedhor të afërt, qoftë ai i radhës i 2025 qoftë ky një proces zgjedhor i parakohshëm me simbolet të cilat demokratët i kanë zgjedhur lirisht “

Por edhe pse gjykata mund të mos shprehet deri në 2025, Lulzim Basha do të vazhdojë të përdorë logon e PD, pasi ka ende te vlefshëm vendimin e dhënë në vitin 2021 kur PD nuk ishte përçarë. Në këtë situatë mbetet për tu parë a do të krijojë apo jo një parti të re Sali Berisha?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu