Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është duke u munduar të bindë serbët e Kosovës të heqin barrikadat e ngritura në veri të vendit. Ai ndodhet në Rashkë, ku po bisedon me një përfaqësi të serbëve të Kosovës.
Një ndër ta është edhe Aleksandar Filipoviç, i cili së fundmi u largua nga Policia e Kosovës. Ai i tha Vuçiçit se ligji dhe drejtësia për serbët në Kosovë nuk ekzistojnë dhe se vitin e fundit është bërë e padurueshme.
“Nuk ka jetë për serbët, ndërsa në veri të Kosovës ka “banditë”. Veriu nuk është i shtetit të Kosovës. Ata nuk kanë asnjë element të shtetësisë atje, as nuk zbatojnë kompetencat e tyre, as ligjin”, tha Filipoviç.
Më tej ai shtoi se nëse shqiptarët i heqin barrikadat, do të gjuajnë mbi serbët sikur gjuajnë lepujt.
Vuçiç i tha Filipoviçit se duhet biseduar para se të shkohet në luftë.
Duke u munduar ta bindë, Vuciqi deklaroi se janë 500 gjëra që serbët do të marrin nga ndërkombëtarët nëse do të tërhiqen barrikadat.
“Unë vetëm po ju pyes, çfarë marrim? Qëndroni nesër në barrikada dhe çfarë t’u themi atyre që na kanë plotësuar pothuajse të gjitha kërkesat? Nëse u themi se nuk u besojmë, atëherë me kë do të flasim nesër. Le të përpiqemi të flasim para se të shkojmë në luftë. Asnjë nga serbët nuk mund të gjuhet si lepujt. Edhe pse do të donin. Po të shkojnë të na kapin një ose dy si lepuj, nuk ka më marrëveshje.
Vetëm mendoni përsëri, para fundit të mbrëmjes, çfarë fitojmë nëse barrikadat mbeten? Dhe unë mund t’ju them 500 gjëra që i marrim nëse tërhiqen”, tha Vuçiç.