Shkruan Iva V.Grillo
Në një kohë kur shoqëria shqiptare është nën goditjen e njëpasnjëshme të skandaleve të qeverisë “rilindase”, duket se asaj i është hedhur në qarkullim një “kockë” tjetër, për t’u përtypur e mbllaçitur: një histori me pullë tē kuqe…
Nuk kuptohet nëse kjo histori u hodh në publik nga padurimi për protagonizëm mediatik apo u hodh me regji në këtë moment…por fakti është se pavarësisht nga ngjyrimet e detajet e rastit në fjalë, nuk ka asnjë skandal që matet me vjedhjen masive të shtetit nga krerët e qeverisë në bashkëpunim me krimin dhe më pas, me shantazhimin e drejtësisë nga Kryeministri i vendit për t’a frikësuar drejtësinë që të mos bëjë drejtësi.
Sigurisht që përfshirja e një punonjësi të një organi të rëndësishëm drejtësie në veprime të papërshtatshme dhe në kundërshtim me etikën e punës është diçka serioze që tregon gjendjen e mjeruar të shtetit shqiptar. Këto episode rrisin dhe potencialin për shantazhim të punonjësve në fjalë dhe përdorim e ndikim të tyre sipas interesave okulte të grupimeve të ndryshme me pushtet politik apo dhe kriminal.
Por gjithsesi, në mungesën e një sfondi ndikimi të tillë (të paktën deri tani nuk është dhënë ndonjë informacion që lidh historinë seksuale me ndonjë ndikim tē paligjshëm nga ana e këtij punonjësi) publikimi i kësaj ngjarje me të gjitha “ngjyrimet” dhe detajet banale, nuk është gjë tjetër veçse një çoroditje e panevojshme dhe e tepërt në një kohë kur gjithë energjia e vëmendja e shoqërisë duhet të jetë tek reagimi ndaj mega-skandalit qeveritar.
Shoqëria shqiptare nuk ka luksin për t’u shushatur e hutuar me vojerizëm seksual…sado skandalizues e plot “ngjyra” që t’i shitet ky i fundit publikut.
Drejtësia e qeverisja kanë mëkate shumë më të mëdha sesa ekseset apo skandalet seksuale të punonjësve të tyre.
Është zhvatur e çnderuar një Shqipëri e tërë …dhe qeveritarët e lidhur me krimin janë akoma me duart futur thellë në xhepat e shqiptarëve.
Ky është skandali e çnderimi më i madh!
Ky duhet të jetë dhe turpi që duhet të shohin me lemeri e tregojnë me gisht shqiptarët!



