Policia Elbasanit ka proceduar penalisht pronarin e lokalit në Pekisht të Peqinit, pas publikimit ne televizion një ditë më parë të një videoje nga lokali i tij si provë për manipulimin e zgjedhjeve.
“Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë”, njoftoi policia.
Policia bëri me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22 maj se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit. Sipas policisë veç materialeve të bllokuara në shtëpinë e shtetasit D.B janë sekuestruar edhe një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese sportive.
Policia tha se pronari i lokalit u referua në prokurori për “Falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Partia Demokratike pretendon se këto fletë janë përdorur në skemën që njihet si “treni bullgar” në të cilën votuesve u jepen fletë të plotësuara votimi dhe u kërkohet të dorëzojnë një fletë të paplotësuar. Megjithatë fletët në videon e PD nuk kanë vula të komisionit të qendrës së votimit.
Gjatë publikimit të videos, pronari i lokalit që identifikohet edhe si një vëzhgues i Partisë Socialiste, përmend emrin e deputetit Sajmir Hasalla, kandidat në listën e hapur për PS-së në Peqin si prurësin e fletëve që duken si fletë të votimit.
I kontaktuar nga BIRN deputeti Sajmir Hasalla tha se pretendimet nuk qëndronin dhe se sipas tij fletët që i ngjajnë fletëve të votimit janë kopje për t’i treguar elektoratit se si votohet. “Rasti ka qenë lehtësisht i verifikueshëm që në momentin e parë, pasi ato fletët kanë qenë kopje të fletës së votimit të dallueshme me sy të lirë edhe si përmasë, për t’i treguar elektoratit se si të votohet. E kam injoruar me përbuzje ta komentoj si rast, sepse më duket shumë e ulët”, tha ai.
Ai thekson se nga dje nuk është kontaktuar apo pyetur nga policia lidhur me këtë denoncim.
Ky është rasti i tretë i proceduar për krim zgjedhor në qarkun e Elbasanit pas dy rasteve të fotografimit të votës gjatë ditës së zgjedhjeve.