Pas shpalljes non grat-a të Berishës familjarisht nga Amerikanët dhe Britania e Madhe, opozitës dhe PD-së zyrtare iu dhanë gjithë shancet që të kthehej në një parti demokratike të vërtetë, me sjellje e veprime ndryshe nga sa kishte historinë e saj 30- vjeçare.
PD-ja zyrtare pa Berishën, kishte mundësitë të pastrohej nga praktikat berishiste, të lidhej fort e të krijonte aleanca të ngushta me aleatët strategjikë të Shqipërisë.
Por zgjodhi të heshte, ndërkohë që Berisha bëri të kundertën.
Ai, me një energji të pa parë, nisi lëvizjen me foltorën e tij në çdo cep të vendit, duke ngushtuar hapsirat e PD-së zyrtare e cila mbase enkas i la fushë krejtësisht të lirë Berishës për ta faktorizuar në sytë e botës, si opozitarin dhe liderin real të e opozitës!
Sjellja e dyshimtë e Bashës, dorëheqja dhe lënja pa kryetar e PD-së për një vit, mos angazhimi dhe mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale të 14-Majit, dorëzimi me pekule i Selisë së PD-së, përjashtimi i shumë demokratëve nga Partia Demokratike e më pas largimi i një grupi tjetër prej mbi 20 deputetësh që nuk qëndruan me Bashën por nuk u bashkuan as me foltorën e rithemelimit për gati dy vite, tregon mungesë të theksuar lidershipi.
Me vendimin për ta rimarrë drejtimin e PD-së zyrtare, pa patur struktura në rrethe, por vetëm me të emëruar dhe miq përsonal të Bashës, ky i fundit manipuloi zgjedhjet dhe përballë sfidantit Gjergj Hani, në një garë pa garë, pasi imponoi dorëheqjen e z.Alibeaj, arriti me metodat berishiste ta marrë kontrollin e pa munguar që kishte realisht në PD dhe u bë kryetar i saj.
Nga Korriku i vitit të kaluar, deri më sot, kjo parti, nuk ka arritur të bëjë zgjedhje as në 30% të degëve të saj në gjithë Shqipërinë.
Çka tregon se ka probleme serioze organizimi, për të mos thënë gati inekzistencë.
Vetiu më lindin disa pyetje:
– Çfarë i duhet Partia Demokratike zyrtare Bashës, kur shifrat e sondazheve e mbajmë në nivelin e 4%?!
– Për të bërë bisnes politik me besimin dhe mbështetjen e demokratëve qëndrestarë që kanë përballuar presione, sharje e anatemime pa fund nga lufta brënda llojit?!
– A nuk e analizojnë anëtarët e Kryesisë së PD-së zyrtare situatën politike e reale ku gjendet kjo parti, dhe kush i ka përgjegjësitë për ndaljen e trenit prej 104 mijë votash që morën demokratët pa kandidatë e pa fushatë me 14-Maj, dhe sot shohim rënjen e lirë të saj deri sa askush nuk e di fatin e saj?!
– Po sikur PD-së zyrtare ti hiqet vula me vendim gjykate dhe ta marrë pala tjetër e bashkuar, cili është fati i saj më pas?!
– A është pyetur ndonjëherë dhe a ka dhënë shpjegime Basha përse nuk ka asnjë shenjë mbështetje nga ndërkombëtarët, nga aleatët, nga partitë popullore europiane etj.?
– Po sikur të thirret nën akuzë Basha në rolin e ish Ministrit të Brëndshëm, si dhe sa ndikon në ardhmërinë e PD-së?!
– A ka ndonjë qëndrim publik Basha, përse nuk u takua me të, por e injoroi Sekretari Blinken në Tiranë?!
Marrëveshja Bardhi-Çuçi e ditëve të fundit, vërtetë “blindoi” marrëveshjen e 2008-ës të Berisha-Rama dhe për 2025, e çimentuan pushtetin e Ramës!
Në planin afatgjatë, kjo marrëveshje ka dy synime:
-Të sfidojnë hapur Bashën dhe Partinë e tij.
– Të sigurojnë disa vende në parlamentin e ardhshëm mbështetësit e Berishës.
Me pak durim, në vetvete, kjo marrëveshje, do të sjell “ujë” në mullirin e PD-së zyrtare, nqs ajo do të mund të rezistojë dhe nqs do të mund të luaj politikë.
Është e vertet se kjo marrëveshje, i nxorri zbuluar Berishën dhe Ramën përballë aleatëve.
Sidoqoftë, problem per PD-në zyrtare mbetët motivimi dhe misioni që duhet kryer ndaj demokracisë dhe Shqipërisë.
Pa një PD demokratike, pa një PD efektive, pa një PD që të distancohet qartazi e prerë nga berishizmi si rrymë, pluralizmi në Shqipëri do jetë i plagosur.
Po, a mund ta përmbush Basha këtë mision, pasi deri më tani, as emrin nuk ka guxuar t’ia përmend Berishës, a për respekt, a për keqardhje, a për detyrim, a për frikë, ai e di.
Me rrugën e ndjekur deri tani, PD-ja zyrtare po vetë defaktorizohet. Shpresoj të mos jetë mision. Në të kundërt është krim në politikë dhe minimumi paaftësi!