Shkruan Ilir Kalemaj
Veç në Absurdistan
– ikën për vresht kur ankohesh te organet kompetente.
– gradohesh ‘baba kombi’ kur je analfabet funksional me doktoraturë në gangsterizëm.
– çmimet në supermarketet kryesore, ndryshojnë nga qyteti në qytet, madje edhe brenda qytetit, pavarësisht të njëjtit mall dhe në pronësi të të njëjtit grup.
– balta në dimër, pluhuri, mizat dhe mushkonjat në verë, përbashkohen nga vështirësia e të jetuarit në paqe dhe me siguri në çdo stinë.
– ndërsa njerëzia ikin, trafiku shtohet dhe çmimet shkojnë në hapsanë.
– pylli orbital ekziston…, në trajtë betoni.
– ujë i pijshëm vazhdon të jetë premtim futuristik. Madje edhe ai i papijshëm por pa orar.
– Në epokën e inteligjencës artificiale dhe përpjekjeve për të kolonizuar hënën dhe marsin, vijon jeta baritore por pa prehjen idilike si kompensim. Ndërkohë diskutimet shpesh ngjajnë si ato gazetat e botuara muaj apo vite më parë që lëçiste në kafehanen e fshatit hoxha apo prifti i kënduar në shek e 19.
– Lufta për një copë truall dhe sherri për një vijë uji, ngritja marroke e kolonave për katin e dytë a të tretë për birin n’emigrim apo rrethimi gardhit dhe hekurat në dritare flet për kufi të ekzistencës të homo albanicus.
– Dikush të zë parkimin apo bllokon daljen dhe ti duhet të kesh durim më tepër se sa një murg budist.
– As rritja e çmimit të naftës apo shkartisja e saj me ujë për të rritur fitimet e visigotëve dhe vandalëve me licencë, nuk e ndalon kokërruarin me zinxhir të trashë n’qafë të xhirojë gomat në kryqëzim dhe ti bjerë Bllokut dy a tri herë çdo natë.
– Dhembshuri pa masë për torturën në pisk vape të zonjushave botox tek harxhojnë orë pa fund në përpjekjen fisnike për të kapur pozën më sensuale të kavardisur me fotoshop të dendur, për të joshur kokërruarin e sipërcituar.
– Ja ua ndaluam qafira-mjekëve lëvizjen e lirë për 5 vite, por berberë-matrapazëve, hidraulikë-edëpsëzëve dhe të tjerë ustallarëve si do ua bëjmë?!
Simptoma të tjera të tokës së shqiponjave jeni të lirë t’i shtoni sipas midesë