Vdiq në aksident/ Kush do ta zëvendësojë presidentin e Iranit? Çfarë parashikon ligji

0

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin ku u rrëzua një helikopter në veriperëndim të Iranit. Televizioni shtetëror i Iranit raportoi më 20 maj se helikopteri u rrëzua si pasojë e motit të keq.

Kabineti i Raisit është duke e mbajtur një takim emergjent, sipas mediave shtetërore.

Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë. Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve.

Mohammad Mokhber është zëvendëspresidenti i parë i tanishëm i Iranit.

Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga disa qeveri të huaja, bënë përpjekje të mëdha për ta gjetur helikopterin, i cili ishte rrëzuar si pasojë e gjendjes së keqe atmosferike në pjesën bjeshkore të vendit më 19 maj.

Helikopteri i Raisit po kthehej nga qyteti Tabriz kur u rrëzua në afërsi të qytetit Jolfa. Televizioni shtetërore e kishte përshkruar si “ulje të vrazhdët”, por disa media raportuan, me burime qeveritare, se helikopteri u rrëzua derisa po e kalonte një fushë bjeshkore dhe malore.

Qeveria e Iranit tha se ai ishte njëri nga tre helikopterët që po fluturonin së bashku dhe se dy të tjerët ateruan në mënyrë të sigurt në Tabriz.

Raisi dhe Amir-Abdollahian udhëtuan në Azerbajxhan më 19 maj, për ta përuruar një digë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Aliyev shkroi në rrjetin social X se Azerbajxhani u “shqetësua pafundësisht” nga lajmi për rrëzimin e helikopterit të Raisit.

Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.

Ai kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, duke e lejuar vendin e vet ta rrisë dukshëm njëkohësisht edhe programin e vet për uranium të pasuruar./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu