Shkruan Zef Ndreka
“Ne ishim me fat që kishim Ibrahim Rugovën dhe lëvizjen e tij, Thaçi kishte kauzë tjetër”!
Kjo ishte në thelb deklarata e Wesley Clark në Hagë, që nenkuptoi urtësinë e Rugovës dhe guximin e UÇK-së.
Kjo deklaratë është shumë domethënëse, sepse prek vetë themelin e dy filozofive politike që e udhëhoqën Kosovën në vitet ’90 dhe gjatë luftës.
Ta analizojmë këtë deklaratë.
Kjo është një dëshmi-deklaratë e artikuluar në mes të gjykatës së Hagës, që vjen nga një figurë me peshë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
Wesley Clark nuk mund të konsidwrohet nga kjo gjykatë si një komentues i zakonshëm. Ai ishte Komandant Suprem i Forcave të NATO-s gjatë vitit 1999, pra njeriu që drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë.
Prandaj çdo vlerësim i tij ka një peshë simbolike dhe historike, sepse ai njohu nga afër diplomacinë perëndimore, lëvizjen paqësore të Rugovës, strukturat politike dhe ushtarake shqiptare gjatë luftës, si dhe proceset që çuan në ndërhyrjen e NATO-s.
Prandaj, dëshmia e tij nuk mund të kosiderohet thjesht një mendim personal, por një interpretim nga një aktor kyç i kohës.
Rugova, strategjia e shtetit të ardhshëm.
Kur Clark thotë “ishim me fat që kishim Rugovën”, ai i referohet vizionit të tij paqësor.
Rugova krijoi një narrativë politike që i dha Kosovës simpati dhe besueshmëri tek Perëndimi, ku një popull i shtypur kërkon liri me mjete paqësore.
Për këtë, ai krijoi modelin e “shtetit paralel”.
Rugova ndërtoi institucione alternative, arsim, shëndetësi, administratë, duke treguar se shqiptarët ishin të aftë të krijonin shtet, edhe pa dhunë.
Ai kishte aftësinë për të mos provokuar luftë të parakohshme.
Kjo i kurseu Kosovës një masakër më të hershme në vitet 1990, në një kohë kur Serbia ishte ende shumë më e fortë dhe Perëndimi ende shumë i pavullnetshëm të ndërhynte.
Për Perëndimin, Rugova ishte i parashikueshëm, paqësor dhe i besueshëm.
Dhe Clark e përforcoi këtë pikë si një fat historik.
Thaçi dhe “kauza tjetër”, çfarë nënkuptoi Clark?
Clark nuk e mohoi luftën, sakrificat e UÇK-së apo nevojën e rezistencës së armatosur.
Por me shprehjen “Thaçi kishte kauzë tjetër”, ai theksoi disa elemente si diferenca e mjetit politik, e ndryshme nga qasja e Rugovës.
Rugova e barazon me diplomaci dhe rezistencë paqësore, ndërsa UÇK e barazon me rezistencë të armatosur për të imponuar zgjidhjen.
Lëvizja e Thaçit , pra e UÇK-së kishte aktorë, rrjete dhe influenca të tjera, që Perëndimi i shikonte me kujdes dhe shpesh me dyshime, sidomos në fillim.
Për strukturat perëndimore të sigurisë, viti 1997–1998 ishte periudhë e fluiditetit të madh, me grupe të ndryshme, axhenda të ndryshme, linja të ndryshme brenda vetë lëvizjes çlirimtare.
Deklarata e Clark e artikuloi këtë dallim pa e demonizuar askënd, por duke e vendosur në kontekst real politik.
Çfarë domethënie kishte kjo deklaratë për procesin gjyqësor në Hagë?
Kjo deklaratë ka rëndësi të veçantë për procesin kundër ish-liderëve të UÇK-së, sepse regon mungesë të “hierarkisë së fortë komanduese”.
Clark e ka theksuar se nuk ka pasur zinxhir të centralizuar kontrolli, gjë që mund të zbusë pretendimet e përgjegjësisë komanduese të fortë.
Gjithashtu, Klark sugjeroi se UÇK nuk ka qenë monolit.
Nëse “kauza” e Thaçit ishte e ndryshme nga ajo e Rugovës, atëherë edhe uniformiteti i veprimit politik e ushtarak nuk ka ekzistuar.
Domethënia e deklaratës ndihmon argumentin mbrojtës se lufta ishte rezultat i represionit serb, jo i një politike të planifikuar organizative për krime. Pra, dëshmia vjen si një lloj balancimi duke vlerësuar Rugovën, por pa dënuar luftën. Gjithashtu, distancim nga koncepti i “komandës së centralizuar”, por pa mohuar ekzistencën e rezistencës së organizuar.
Deklarata e Clark sot shërben si një pasqyrë e madhe për ta parë historinë e Kosovës pa mitizime, dy filozofi politike të ndryshme, dy rrugë që në fund u bashkuan drejt pavarësisë, dy modele që kontribuan në forma të ndryshme.
Shumë herë, debati publik shqiptar është ndarë duke menduar se Rugova ka qënë kundër UÇK-së.
Clark me deklaratën en gjykatën e Hagës, sjell diçka ndryshe, të dy ishin pjesë e të njëjtit proces, por me qasje të ndryshme.
Dhe sipas Clark, Perëndimi kishte nevojë për të dyja, por ishin veçanërisht mirënjohës Rugovës për legjitimitetin moral dhe politik.
Kështu, deklarata e Clark është mesazh historik. Kosova fitoi sepse pati edhe urtinë e Rugovës, edhe guximin e UÇK-së.
Por Perëndimi dhe sidomos NATO, u mbështetën fillimisht tek filozofia paqësore që e bëri çështjen e Kosovës të padiskutueshme moralisht.








