U dënua me 1 vit burg dhe 6 vjet ndalim për ushtrimin e detyrës së presidentit, por Milorad Dodik thotë se nuk e njeh dhe nuk do ta respektojë vendimin e gjykatës së Bosnjes.
Në një intervistë për gazetën italiane La Reppublica, Milorad Dodik jep arsyet se përse nuk do ta respektojë atë.
“Nuk do ta respektoj kurrë dënimin boshnjak, pasi është një dënim politik”, thotë Dodik.
Më tej Dodik thotë se nuk kërkon shkëputjen e Republikës Sërpska megjithëse detyroi parlamentin që të miratonte një ligj që shpall të jashtëligjshme aktivitetin e institucioneve boshnjake.
Dodik thotë se kërkon paqe, ndërsa në të njëjtën kohë shpreh në intervistë ambicien për të ndërtuar një ushtri. Gjykata që e dënoi sipas Dodik është ngritur për të dënuar vetëm një grup etnik, atë serb.
“Nuk është institucion zyrtar. Është rezultat i imponimit të qarqeve liberale që kanë futur institucione jashtë rendit kushtetues për dialog. Prandaj jam viktimë e një gjyqi politik”, thotë Dodik, i cili njihet si lideri më proserb në Ballkan dhe njëkohësisht një mbështetës i flaktë i Donald Trump.
Ndërkohë thotë se vendimin e gjykatës e solli përplasja me përfaqësuesin e lartë për të cilin nuk i kursen fjalët.
“Jam i dënuar sepse një gjerman i quajtur Christian Schmidt, i cili në të kaluarën kishte simpati për ideologjinë naziste, nxori një dekret sipas të cilit kushdo që nuk respekton vendimet e tij kryen një krim” vijon Dodik në intervistën për gazetën italiane.
Presidenti i Republikës Sërpska u dënua më 26 shkurt me 1 vit burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyrën e presidenti për 6 vjet, pasi refuzoi të zbatonte direktivat e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt.
Dodik thotë se do të pranojë një dënim vetëm në rastin e një vendimi të dhënë nga një gjykatë të ngritur posaçërisht për të gjykuar serbët në Bosnje.