Tony Blair dhe gruaja e tij kanë marrë miliona euro nga qeveria shqiptare dhe ajo serbe

0

Vila 30 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ka një të shkuar të errët si vendi ku ish-kryeministri komunist shqiptar Mehmet Shehu – përballur me rrezikun e arrestimit dhe burgosjes – vrau veten.

Sot, si rikujtesë, në oborrin e vilës nën pronësi të qeverisë gjenden statujat e Leninit dhe Stalinit si dhe një Zis 69, një automjet që ishte i parapëlqyeri i policisë sekrete të kohës së Komunizmit “Sigurimi” për arrestimet në mes të natës.

Gjithkush sot mund të vrasë mendjen se çfarë mendoi Tony Blair, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, kur pa këtë dekor ndërsa u mikprit nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama më 19 prill të vitit të kaluar.

Pak gjë u komunikua në publik mbi takimin. Gjithsesi, dy muaj më vonë, Instituti Tony Blair për Ndryshim Global, TBI, publikoi një ofertë pune për këshillar në Tiranë, në mbështetje të përmirësimit të shërbimeve të qeverisë shqiptare përmes aplikimit të teknologjisë dhe novacionit.

Tre muaj më vonë, në shtator 2022, TBI shpalli një vend tjetër të lirë pune – për një këshilltar të lartë për kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Shqipërisë.

Kjo nuk është hera e parë që Blair, i cili la zyrën në vitin 2007, ka punuar me Ramën. Kur socialistët erdhën në pushtet më 2013, Blair u punësua si këshilltar.

Se çfarë nënkupton një punë e tillë, kjo është e paqartë, për shkak se kontratat nuk janë të disponueshme për publikun. Por, si qeveria shqiptare ashtu edhe Blair thonë se shërbimi vjen falas.

Gjithsesi, ish-kryeministri britanik nuk është i vetmi Blair që punoi për qeverinë shqiptare. Përgjatë të njëjtës periudhë, një kompani ligjore e drejtuar nga bashkëshortja e tij Cherie, mori qindramijëra euro nga qeveria për shërbime të dhëna. Një përkim i tillë vërehet se ka ndodhur edhe në Serbi.

Ekspertë vendës thonë se kjo, dhe mungesa e transparencës në lidhje me kontratat me TBI, duhet të bëjnë që të bien këmbanat e alarmit.

Në rastin e Shqipërisë “kjo e vë z. Rama dhe z. Blair në një marrëdhënie klienteliste,” thotë Rigels Xhemollari, një aktivist anti-korrupsion dhe drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, një organizatë me bazë në Tiranë.

Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, një organizatë kërkimore në Tiranë, i tha BIRN: “Në një praktikë normale të shtetit të së drejtës i gjithë ky proces do të duhej hetuar.”

“Deklarata e vetme e qeverisë, se konsulenti nuk ka përfituar financiarisht nga shteti shqiptar është e pamjaftueshme, spekullative dhe krijon edhe më shumë dyshime mbi përmbajtjen e kontratës dhe llojin e angazhimit.”

TBI dhe Omnia Strategy, kompania e Cherie Blair, e cila ofron shërbime të specializuara në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe arbitrim, mohuan të kenë konflikt interesi.

“Kompania ligjore e zonjës Blair ka përfaqësuar Qeverinë e Shqipërisë shumë herë dhe i ka të gjitha të drejtat ta bëjë këtë,” tha TBI për BIRN. “Kjo është një praktikë ligjore që nuk ka të bëjë fare me punën e TBI.”

Omnia Strategy tha: “Puna e Omnias, në Shqipëri ose gjetkë, nuk ka të bëjë me punën e TBI.”

Qeveria e Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Punët fitimprirëse të arbitrazhit të Omnias

Blair themeloi TBI më 2016, duke ofruar shërbime konsulence për qeveritë në mënyrë që të “ndihmojë udhëheqësit politikë që të ndërtojnë shoqëri të hapura, gjithëpërfshirëse dhe me mirëqenie në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur,” sipas faqes së saj të internetit. Në vitin 2021, ajo kishte 437 të punësuar, zyra qendrore në Londër dhe tre qendra ndërkombëtare në Akra, Singapor dhe San Francisko.

Një ogranizatë jofitimprurëse, instituti realizoi një xhiro prej 81 milionë paundësh më 2021. Shumica e punës financohet nga fondacione private, të cilat, deri prillin e kaluar, përfshinin Këshillin Evropian për Tolerancë dhe Ripajtim, ECTR, themeluar nga miliarderi rus Moshe Kantor. TBI i ndërpreu marrëdhëniet me ECRT, pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, kur Kantor u vendos nën sanksione në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të lidhjeve të tij me Kremlinin.

Më herët, më 2020, Blair u përfol si një ndërmjetës potencial mes Serbisë dhe Kosovës për një marrëveshje të braktisur për shkëmbime territoresh dhe sqarim marrëdhëniesh mes tyre.

John Bolton, ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare për ish-presidentin Donald Trump, i tha BIRN në një intervistë se Blair, i cili ishte në pushtet më 1999 kur Britania mori pjesë në bombardimet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur gjatë luftës në Kosovë – kishte ofruar të shërbente si “ndërmjetës informal” mes të dy palëve. Rama u raportua në atë kohë të ishte mbështetës në marrëveshjen për shkëmbim territoresh, një pretendim që ai e mohoi me forcë.

Puna e fundit e Blair në Shqipëri përkoi edhe me atë të bashkëshortes: të dhënat e Thesarit të Shqipërisë, të para nga BIRN, tregojnë se ministria e financave e vendit bëri tre pagesa te Omnia Strategy mes 13 dhe 19 shtatorit 2022, për një total prej 418 mijë eurosh.

Të dhënat nuk specifikojnë se për çfarë u bënë këto pagesa ndërsa Omnia Strategy konfirmoi se i ka marrë paratë, pa dhënë shpjegime se për çfarë. Kompania ligjore me bazë në Londër ka përfaqësuar më herët Shqipërinë në një numër çështjesh arbitrazhi para gjykatave ndërkombëtare.

E para, më 2012, pa Omnia Strategy duke përfaqësuar Shqipërinë në një mosmarrëveshje me një kompani me bazë në Amerikë, me një faturë shërbimesh ligjore me vlerë 300 mijë euro.

Më 2015, kompania mori 645,000 euro nga Qeveria e Shqipërisë për këshillime ligjore mbi një mosmarrëveshje konteaktuale me një konsorcium të përbërë nga kompania amerikane Rapiscan Systems dhe kompania vendëse S2. Pastaj më 2018, Omnia Strategy u punësua nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë për një mosmarrëveshje investimi me kompaninë italiane Valeria Italia S.r.l, për të cilën u pagua 200 mijë euro.

“Omnia u punësua nga Shqipëria me meritë, të veprojë në çështje të referuara pas një procesi prokurues konkurrues dhe më pas dorëzoi rezultate pozitive në të treja çështjet,” tha për BIRN Omnia Strategy në një përgjigje me shkrim për këtë lajm.

Si TBI ashtu edhe Omnia Strategy kanë punuar edhe për Serbinë: TBI u angazhua më 2015 për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve digjitale të ofruara nga qeveria, ndërsa Omnia Strategy u listua më 2021 si avokati përgjegjës në një çështje të ngritur nga tre kompani telekomunikacioni kundër Serbisë.

Zëdhënësi i TBI konformoi se organizata vijon të punojë me qeverinë e Serbisë, falas.

“As Tony Blair dhe as instituti nuk marrin para nga qeveria e Shqipërisë apo ajo e Serbisë për këtë punë.”

Puna e konsulencës ka tërhequr më herët kritika nga aktivistë të të drejtave të njeriut.

Më 2013, Hugh Williamson, drejtor për Divizionin e Evropës dhe Azisë Qendrore të Human Rights Watch, tërhoqi vëmendjen te një kontratë dyvjeçare me vlerë 16 milionë paundë në Kazakistan dhe kritikoi Blair për mosshprehjen e shqetësimeve në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi autokratik i presidentit të atëhershëm të vendit Nursultan Nazarbayev.

Të dhëna gjyqësore tregojnë se Omnia Strategy ka përfaqësuar më herët edhe qeverinë e Malit të Zi në një mosmarrëveshje me Addiko Bank AG mbi një ligj ppër konvertimin e kredive të dhëna në franga zvicerane.

Kompania ka përfaqësuar gjithashtu edhe kompaninë ukrainase Sardich, e cila ngriti padi duke kërkuar 350 milionë euro kompensim nga Maqedonia e Veriut pasi humbi një kontratë koncesionare minerare më 2019./ BIRN

*Frosina Dimeska kontribuoi raportim për këtë shkrim nga Maqedonia e Veriut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu