Shkruan Basir Çollaku
Goditja e parë erdhi nga Tirana.
“Babloku” hapi një ofensivë politike të ashpër ndaj SPAK-ut dhe gjykatave, me një retorikë që shumë kritikë e krahasojnë me një bombardim të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë. Sulmet verbale nuk mbetën vetëm retorikë: pas tyre erdhi edhe nismë ligjore për të kufizuar kompetencat proceduriale të organeve hetimore dhe gjyqësore, ndërsa në draftin e ri të Kodit Penal parashikohen ndryshime që, sipas kritikëve, mund të dobësojnë ndjekjen penale për një sërë veprash që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.
Për shumë analistë, kjo shihet si një përpjekje për të zbutur armët e drejtësisë pikërisht në momentin kur ato kanë filluar të godasin nivele të larta të pushtetit.
Në të njëjtën kohë, në Beograd po ndodh një zhvillim i ngjashëm. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, përmes një deputeti të partisë së tij, ka dërguar në parlament një paketë ligjore që synon të kufizojë fuqinë e TOK, strukturës që konsiderohet ekuivalente me SPAK-un në Serbi.
Por sinjalet janë edhe më të forta. Sipas mediave serbe Nova dhe Radar, nga 1 marsi 2026 Serbia ka lënë vakant vendet e hetuesve të saj në njësinë SKY ECC të EUROPOL dhe postin e prokurorit ndërlidhës në EUROJUST. Ky vendim, sipas raportimeve, lë në ajër rreth 200 dosje të figurave të profilit të lartë.
Në këto dosje përmenden pseudonime që kanë tronditur politikën serbe:
“Oskar” – një figurë e përshkruar si “shefi i madh”, ende i paidentifikuar,
“Edo” – drejtues i shërbimit sekret,
“Markus” – kryetar i Gjykatës së Apelit në Beograd,
“Dollar” – ministër i Brendshëm,
dhe shumë emra të tjerë që lidhen me nivelet më të larta të pushtetit.
Nëse vendosen përballë njëra-tjetrës, zhvillimet në Tiranë dhe Beograd krijojnë një tablo që për kritikët duket e qartë: një presion i koordinuar politik ndaj strukturave që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Kjo ka ngritur një pyetje të fortë në opinionin publik:
A po ndjek Tirana modelin e Beogradit për të dobësuar institucionet e posaçme të drejtësisë?
Sepse nëse drejtësia dobësohet përmes ligjeve, retorikës dhe presionit politik, atëherë nuk bëhet më fjalë vetëm për përplasje politike.
Bëhet fjalë për një betejë thelbësore: a do të mbetet drejtësia një institucion i pavarur, apo do të kthehet në një strukturë të çarmatosur përballë pushtetit?








