Testi i kulturës së përgjithshme në Big Brother VIP dhe pasqyra që na shqetëson

0

Shkruan Zef Ndreka

Sfida e kulturës së përgjithshme në shtëpinë e Big Brother VIP Albania ditën e djelë e parë live nga të gjithë dhe e bërë virale nga shumë portale e media, nxori në pah një realitet që shumëkush e kishte vënë re prej kohësh, nivelin e dobët të njohurive dhe mungesën e një kulture elementare tek një pjesë e banorëve që sot prezantohen si figura publike.
Përgjigjet e gabuara nuk ishin vetëm lapsuse apo momente hutimi. Por më tej, ato treguan një boshllëk të theksuar në njohuritë bazë. Sidomos kur dëgjon “perla” si ideja se një shekull ka 15 vjet apo se të sapomartuarve u hidhen banane, nuk mund të mos ndjesh keqardhje për nivelin e përfaqësimit që i bëhet rinisë në një program kaq të ndjekur.
Në fakt, rezultati i këtij testi nuk ishte aspak surprizë. Sjelljet që kemi parë gjatë gjithë spektaklit me zënka pa kuptim, me britma, me konflikte të vazhdueshme dhe mungesë e çdo debati me argument, e paralajmëronin këtë përfundim. Sepse spektakli është ndërtuar mbi zhurmën dhe jo mbi idetë dhe është e natyrshme që edhe një test i thjeshtë kulture të zbulojë boshllëqet.
Por më domethënës është fakti se një nga banoret që nga shumëkush shihej si më “inteligjente” apo si pretendente për fituese, na rezultoi të ishte ajo me numrin më të madh të përgjigjeve të gabuara. Kjo e bën situatën edhe më simbolike, sepse tregon se problemi nuk është thjesht individual, por lidhet me modelin që po promovohet.
Problemi kryesor nuk është vetëm padituria e disa banorëve, por është mesazhi që përcillet tek publiku. Reality show-t kanë ndikim të madh, sidomos tek të rinjtë. Dhe kur ndodh që shumë figura që marrin vëmendjen më të madhe publike siç ndodhi të djelën në test nuk dallohen për dije, për kulturë apo për argument, atëhere krijohet rreziku që ky model të shihet si normal.
Një shoqëri që vlerëson vetëm famën e shpejtë dhe jo dijen, rrezikon të vendosë në qendër njerëz që bëhen të njohur për zhurmë dhe jo për vlera. Ndërkohë nga ana tjetër kemi të rinjtë që studiojnë, që lexojnë dhe që punojnë për tu formuar, por që mbeten shpesh jashtë vëmendjes mediatike.
Megjithatë duhet thënë qartë se banorët e një reality show nuk janë pasqyra e gjithë rinisë shqiptare. Ka shumë të rinj të talentuar, të ditur dhe të suksesshëm që çdo ditë përfaqësojnë denjësisht vendin në universitete dhe institucione brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sfida e vërtetë mbetet që shoqëria dhe media të promovojnë më shumë dijen, kulturën dhe vlerat reale.
Sepse një shprehje e vjetër popullore mbetet gjithmonë aktuale:
“Si është rinia sot, është atdheu nesër.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu