Shkruan Zef Ndreka
Llogjika politike e lexon si kritikë qëndrimin e fundit publik të Ramës, sidomos në raport me SHBA-të.
Në këtë vështrim, Rama si shpeshherë, përdor provokimin verbal dhe ironinë si instrument mbrojtës. Kur ai ndjen presion real veçanërisht nga faktorë ndërkombëtarë si SHBA-të, provokimi shndërrohet në sjellje incidioze, jo për të sfiduar, por për të zhvendosur vëmendjen dhe për të krijuar konfuzion politik.
Ka disa elementë që e ushqejnë këtë sjellje të Ramës.
Së pari gjuha tendencioze e tij, që përdor deklarata të dykuptimta, shpesh me tone tallëse, që synojnë efekte më shumë për publikun e brendshëm sesa për aleatët strategjikë.
Së dyti, frika e maskuar si vetëbesim, ku para SHBA-ve, provokimi nuk është shenjë force, por mënyrë për të fshehur pasigurinë dhe për të shmangur llogaridhënien reale.
Së treti është populizmi diplomatik, ku ai i drejtohet elektoratit me teza sovraniste të kontrolluara, ndërkohë që në praktikë mbetet i varur nga mbështetja perëndimore.
Së katërti, retorika përçarëse, duke u shfaqur si i sulmuar nga jashtë vendit, ai përpiqet të krijojë ndjesinë e një rreziku artificial për të mobilizuar mbështetje.
E gjitha kjo sjellje tregon se raporti i tij me SHBA-të nuk është marrëdhënie e barabartë, por një ekuilibër i brishtë mes nevojës për legjitimitet ndërkombëtar dhe frikës nga humbja e kontrollit të brendshëm.
Rama po përpiqet më kot së fundmi të shfaqet si provokator i fortë, kur në thelb gjuha e tij është incendioze dhe mbrojtëse, aspak sfiduese.
Kur përballet me SHBA-të, ironia dhe tendencioziteti nuk janë shenjë vetëbesimi, por refleks frike. Provokimi shërben për të fshehur pasigurinë, për të zhvendosur vëmendjen dhe për të konsumuar politikën e brendshme dhe jo për të ndërtuar një raport serioz me aleatin strategjik.
Kjo nuk është aspak diplomaci, përkundrazi është teatër për publik të brendshëm, i veshur si guxim…








