SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme të deklarojë fajtorë të tetë të bashkëpandehurit e ish-ministrit, Ilir Beqaj, të akuzuar në dosjen “Sterilizimi”, që po gjykohen te një proces të veçuar prej tij.
Dënimi më i rëndë i kërkuar, me nga 10 vite burg, ishte ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, të akuzuar si anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal pjesë e të cilit ishte edhe Beqaj, shkruan A2.
Sipas prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuci, Rjepaj duhet të fajësohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “falsifikim të dokumenteve”, ndërsa Rrapaj për “vjedhje” me pasojë të rëndë dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Rrapaj e Rrjepaj rrezikojnë përfundimisht të dënohen me nga 6 vjet e 8 muaj burg. Dënime me nga 3 vjet e 6 muaj burg u kërkuan për të pandehurit Marsela Serjani, ish-shefe juridike në Ministrinë e Shëndetësisë, Saimir Kadiu, ish-shef ekonomik në ministri dhe Petref Mersini, ish-anëtar i Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të akuzuar për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Ndryshe nga të pandehurit Serjani e Kadiu, të cilët gjykimi i shkurtuar ua uli në 2 vjet e 4 muaj kërkesën përfundimtare të SPAK, për të pandehurin Mersini u kërkua përfundimisht pezullimi i dënimit me burg dhe lënia e tij në Shërbim Prove për një periudhë 4-vjeçare. Për tre anëtarët e tjerë të komisionit, të pandehurit Arben Gjata, Genc Byrazeri dhe Naile Ajazi, të akuzuar po për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, SPAK kërkoi dënime me nga dy vjet burg dhe përfundimisht pas uljes së një të tretës vendosi pezullim dhe lënien e të treve në Shërbim Prove në periudha 2 dhe 3-vjeçare.
Në seancën e radhës, të caktuar më 9 korrik, të pandehurit do të paraqesin diskutimet e tyre përfundimtare mbi akuzat. Nga ana tjetër, ish-ministri Ilir Beqaj do të gjykohet në një proces të veçuar, për shkak se ai nuk kërkoi gjykim të shkurtuar. Sipas SPAK, të pandehurit e dosjes “Sterilizimi” i kanë konsumuar veprat penale gjatë lidhjes së kontratës 100 milionë euro të Sterilizimit.
Ish-ministri Beqaj dyshohet të ketë nënshkruar kontratë në kundërshtim me ligjin, bazuar në të dhëna të pavërteta në studimin e fizibilitetit dhe pa shmangur konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit. m.p.