SPAK-u e vrau pandëshkueshmërinë

0
Shkruan Zef Ndreka
Ky ka qenë njëri nga objektivat kryesorë të hapave drejt shtetit ligjor.
Lojës 30 vjeçare të pingpongut ndërmjet pozitës dhe opozitës në Shqipëri i erdhi fundi.
Të gjithë i kujtojnë deklaratat dhe akuzat politike të ndërsjella të PS-së dhe PD-së ndër vite.
Por edhe kur kishin baza në vërtetësi, mbeteshin thjeshtë të tilla dhe mbaronin aty.
Fatos Nano ishte i pari që u akuzua thjeshtë politikisht dhe u dënua pa asnjë bazë ligjore, e që më pas mori pafajsi.
U dënuan për kafe dhe sa për të mashtruar opinionin Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia.
Ndarja nga sistemi i kaluar komunist, realisht nuk ndodhi kur ishin të gjitha shancet. Dhe jo vetëm nuk ndodhi, por u thellua më tej lufta e klasave, duke krijuar një hendek të pakapërcyeshëm për të arritur demokracinë.
Kishte raste kur akuzoheshin me fakte për korrupsionin e ish qeveritarëve, si Genc Rruli etj, të cilët më vonë u rikatapultuan duke marrë financat dhe ekonominë e vendit në dorë.
Asnjë ndëshkim!
Tek tuk, dënohej deri në nivelin e një drejtori apo nëpunësi të nivelit të dytë.
Kështu degjeneroi edhe sistemi i drejtësisë i cili ishte i nënshtruar plotësisht dhe me dëshirë kryeministrave.
Prokuroritë dhe gjykatat bënin servilin dhe punonin vetëm në interes të ndërsjellë me qeveritë.
Pasojat dihen dhe populli i ndjente në çdo hap sa herë kishin nevojë dhe përballeshin me problemet e shumta në dyert e gjykatave.
SHBA ishin të parët që vendosen ta instalojnë drejtësinë përmes strukturave të reja ndërtuara enkas për faktin e shkatërrimit dhe minimit të drejtësisë.
Parlamenti shqiptar me imponim votoi me 140 vota ngritjen e strukturave për reformën e re.
SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme antikorrupsion si një arbitër i pa anshëm, me fakte e prova, ndaloi lojën e pingpongut duke i kthyer akuzat në denoncime penale.
Brënda pak vitësh, SPAK-u u rrit, dhe sot shohim në burg dhe në dyert e gjykatave më shumë të paprekshëm që asnjëherë nuk mendohej se do të ndodhte.
Janë ministra e ish ministra, deputetë e ish deputetë, ish Presidentë e ish Kryeministra të ndaluar e të arrestuar. Dhe të tjerë në proçes.
Pra, është vullneti amerikan dhe SPAK-u që e vrau përfundimisht pandëshkueshmërinë. Dhe kjo është një fitore për drejtësinë e re, për demokracinë, për popullin dhe kombin shqiptarë.
Është qesharake kur shikon sot pas shumë vitesh që është forcuar SPAK-u, të mendohet kontrolli parlamentarë mbi të e per më tej për të arritur ndonjë dakortësi strukturore anti-Spak.
Rruga është e shkruar dhe SPAK-u po ashtu në rrugë të mbarë, edhe pse na duket se po punon ngadalë…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu