Shkruan Denis Dyrnjaja
Prokurori i SPAK-ut mban në sirtar për 2 vjet denoncimin e korrupsionit të AZHBR me fondet e BE-së dhe pas dy vjetësh ia kalon çështjen për mos kompetencë prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë.
Pra prokurorit të çështjes Klodian Braho iu deshën dy vjet për të kuptuar që nuk kishte elementë të juridiksionit qe mbulon Prokuroria e Posaçme dhe e delegoi çështjen në një nivel më të ulët.
Ndërkohë zyra e hetimit të BE “OLAF” ka gjetur prova konkrete për abuzim ose keqpërdorim të fondeve të programit IPARD 2 nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural “AZHBR” te cilat prokurori i SPAK-ut nuk i ka parë ose konstatuar, ose i ka parë dhe nuk i kanë krijuar bindjen e arsyeshme se ndodhet përpara një skeme abuzimi dhe shpërdorimi.
Përtej dyshimit tim te arsyeshëm edhe unë s’do doja të besoj se prokurori e ka mbajtur qëllimisht dosjen aty, siç rëndom bëjnë prokurorët kur duan te bëjnë qokë ndaj atyre që duhet të çojnë para ligjit. Është praktikë e njohur kjo e mbajtjes se dosjes në sirtar për ta zënë pluhuri ose harresa e përkohshme ose dhe e përhershme.
Dhe për t’i dalë ne një konkluzion që lidhet me besimin te Prokuroria e Posaçme e dalë nga Reforma në Drejtësi. Ajo do te fitoje vërtetë besimin publik kur të hetojë edhe brenda vetes së saj. Se ujërat nuk janë te kulluar kudo, ose dhe nëse janë të kulluar, diku mund të jenë kontaminuar.
FBI (Byroja Federale e Hetimit) në SHBA gëzon besimin absolut të publikut për shkak se nuk kursen as njerëzit e saj përpara shkeljes së ligjit. SPAK-u ende se ka kaluar këtë provë. Kur të marrë kurajën të hetojë veprimet ose mosveprimet e dyshuara të anëtarëve të saj atëherë mund të themi se kemi hedhur themele besimi.
Reforma ne drejtësi nuk do të thotë që para ligjit shumica është e barabartë, por disa individë janë anash ose mbi ligjin qofshin këta edhe vetë prokurorët e SPAK-ut. Në drejtësi ka një aksiomë derisa të provohet e kundërta do marrësh të mirëqenë atë që sheh. Deri tani po shohim se SPAK-u është një institucion që po bën më shumë show dhe dosje për statistikë sesa beteja reale për misionin që është ngrit!
Gjithsesi ne si publik se kemi humbur besimin, sepse akoma se kemi fituar atë që të kemi mundësi edhe ta humbim!