Ish-deputeti Myslim Murrizi ka folur në lidhje me sistemin e ri të drejtësisë, teksa ka deklaruar se vettingu i gjyqtarëve dhe i prokurorëve është një dështim total.
Me anë të një postimi në rrjete socialiale, Murrizi shkruan se shkolla e magjistraturës që është dhe burimi ku krijohen e dalin gjyqtarët dhe prokurorët e rinj që në një mënyrë do të zëvendësojnë të larguarit nga vetingu, përdoret si pronë private e kastës së vjetër të sistemit të drejtësisë dhe drejtohet nga Arben Rakipi.
Ai thekson më tej se Magjistratura është kthyer në një fidanishte të pistë që kultivon “fidanë” të kalbur e plot viruse.
Murrizi ka thënë se KLP, KLGJ e SPAK duhet të bëjnë hetime për mënyrën se si shpallen “fituesit” në magjistraturë, si dhe fton deputetët e opozitës të kërkojnë informacion të detajuar, ku sipas tij do të shohin çudira.
Ish deputeti thekson se nëse KLP dhe KLGJ hesht për interesa të pista të anëtarëve të tyre atëherë kjo është shumë më e rëndë se sa çdo pazar i ndyrë në kurriz të drejtësisë së re dhe reformës në drejtësi që ju ka kushtuar Shqiptarëve dhe Ndërkombëtarëve mbi 500 milion dollarë.
Postimi i plotë i ish deputetit Murrizi:
VETINGU I GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE ËSHTË NJË DËSHTIM TOTAL NËSE NË MAGJISTRATURË SHKOJNË FËMIJËT E ATYRE QË JANË LARGUAR NGA DREJTËSIA SI HAJDUTË OSE INDIVIDË PA MESATARE DHE ME PROBLEME NË INTEGRITET
E kam theksuar edhe herë të tjera edhe në Kuvend kur isha deputet se, nuk mund të ketë kurrë “ujë” të pastër në çezme pse përpiqemi të pastrojmë depozitën, kur është qelbur burimi.
Pra vetingu në një farë mënyre është si pastrimi i depozitës së ujit nga papastërtitë, por kurrë nuk mund të kemi ujë të pastër në çezmë pra kurrë nuk mund të pretendojmë se kemi pastruar drejtësinë nga të pistët kur shkolla e magjistraturës që është dhe burimi ku krijohen dhe dalin gjyqtarët dhe prokurorët e rinj që në një mënyrë do të zëvëndësojnë të larguarit nga vetingu, përdoret si pronë private e kastës së vjetër të sistemit të drejtësisë dhe drejtohet nga Arben Rakipi ish prokuror i përgjithshëm i shkarkuar nga Parlamenti në korrik 2002, dhe një ish hetues i regjimit komunist.
Në magjistraturë ka mungesë totale të transparencës në “testimin” e famshëm që prej vitesh përflitet për lloj lloj pazaresh të pista, për shuma marramendëse dhe për orientim të theksuar politik e krahinore që të bëhesh pjesë e magjistratëve.
Magjistratura është kthyer në një fidanishte të pistë që kultivon “fidanë” të kalbur e plot viruse që do të jenë nesër gjyqtarë e prokurorë të drejtësisë se vetinguar
E atëherë për çfarë u bë vetingu????
Kush e kontrollon shkollën e magjistraturës?
Kush jua bën vetingun magjistratëve të rinj për gjyqtarë e prokurorë?
Pse duhet patjetër që drejtues i kësaj shkolle ku edukohen brezat e rinj të magjistratëve për gjyqtarë e prokurorë 34 vite pas rrëzimit të komunizmit të jetë një ish hetues dhe ish prokuror i shkarkuar??
Kush e emëron drejtorin e magjistraturës dhe çfarë interesi kanë që nuk e lëshojnë si trofe kurrë këtë shkollë???
Sot janë në magjistraturë 26 magjistratë për prokurorë dhe rreth 45 të tjerë për gjyqtarë
Nga cili filtër kanë kaluar dhe kush organ jua ka bërë vetingun këtyre???
Ftoj KLP dhe KLGJ, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë por edhe SPAK-un që të nisë hetim për mënyrën se si shpallen “fituesit” në magjistraturë, sepse ndryshe i pini lëngun vetingut nëse për 10 vjet zëvëndësohen 500 gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar, me 500 kontigjent të rinj
Kjo nuk quhet më reformë në drejtësi por zëvëndësim të disa llumhaneve në moshë të vjetër me llumhane në moshë të re e që do të jenë drejtësia e Shqipërisë për 20-25 vjet të ardhshëm.
Ftoj Deputetët e opozitës që në të drejtën që ju jep ligji dhe statusi i Deputetit, të kërkojnë informacion të detajuar dhe do të shihni çudira
Madje ka magjistratë që kanë qenë të dënuar si hajdutë por kanë marrë “pafajsinë” pas pazareve dhe kanë “fituar” si magjistratë.
Nëse KLP dhe KLGJ hesht për interesa të pista të anëtarëve të tyre atëherë kjo është shumë më e rëndë se sa çdo pazar të ndyrë në kurriz të drejtësisë së re dhe reformës në drejtësi që ju ka kushtuar Shqiptarëve dhe Ndërkombëtarëve mbi 500 milionë dollarë.