SPAK kontrolle te “Ditë Natë” e “Delta Farma”, dyshime se janë të lidhura me Beqajn

0

Hetimet ndaj Ilir Beqaj janë intensifikuar, teksa me urdhër të SPAK janë zhvilluar kontrolle në disa biznese për të cilat Prokuroria e Posaçme ka dyshime se janë të lidhura me ish-ministrin e Shëndetësisë.

Burime pranë SPAK thanë se në kuadër të hetimit pasuror që po zhvillohet ndaj ish-ministrit janë zhvilluar kontrolle në disa kompani farmaceutike, mes tyre “Ditë Natë” dhe “Delta Farma”.

Më herët gjatë ditës, u raportua se janë ushtruar kontrolle në banesën e ish-ministrit në Tiranë nga Policia dhe BKH-ja.

Ilir Beqaj po hetohet nën masën e sigurisë detyrim paraqitje në procedimin penal për koncesionin e sterilizimit. Ai akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, ndërkohë në vendimin për masën e sigurisë ndaj ministrit, GJKKO ka shprehur bindjen se Beqaj duhet të vihet nën akuzë edhe për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve. Sipas gjykatës, Beqaj është personi kyç në kryerjen e procedurave në koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale, vlera e të cilit është fryrë artificialisht me mbi 60 milion euro – para që ende nuk janë përcaktuar nga hetimet se ku kanë shkuar.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkoi ndërprerjen e koncesionit të sterilizimit para afatit, për shkak të problematikave dhe shkeljeve të evidentuara, megjithatë koncesioni është mbrojtur nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Beqaj, i cili pretendon pafajësi.
Lidhur me çështjen, janë arrestuar biznesmeni Ilir Rrapaj – aksioneri kryesor në “SaniService”, kompania që ka lidhur kontratën koncesionare me MSH dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Masa më të buta janë dhënë për gjashtë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.

Rasti “Beqaj” përmendet shpesh nga opozita, që denoncon se deri më tani, SPAK po aplikon një formë amnistie ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu